Pika më e dobët e Amerikës në një luftë të re tregtare është oligarkia e saj shumë e ndërkombëtarizuar e individëve ultra të pasur, pasuria e të cilëve varet nga një bazë konsumatorësh globalë. Gjëja më e mirë që mund të bëjnë vendet e shënjestruara nga tarifat ndëshkuese është të kushtëzojnë me një taksim të drejtë qasjen në treg për kompanitë e huaja shumëkombëshe dhe miliarderë e huaj.
Nga Gabriel Zucman
Nëpërmjet një sërë urdhrash ekzekutivë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka kaluar javët e tij të para në detyrë duke u përpjekur të shpërbërë rendin ndërkombëtar që Shtetet e Bashkuara ndihmuan të krijohej pas Luftës së Dytë Botërore. Nën banderolën “Amerika e para”, administrata e tij është tërhequr nga marrëveshja e Parisit për klimën, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Dhe tani, ajo është gati të shkojë edhe më tej. Një rishikim gjithëpërfshirës i të gjitha organizatave shumëpalëshe është duke u zhvilluar për të përcaktuar nëse SHBA-ja duhet të qëndrojë apo të largohet.
Trump është gjithashtu i vendosur të ndryshojë sistemin e tregtisë ndërkombëtare. Më pak se dy javë pas marrjes së detyrës, ai njoftoi tarifa të larta: 25% për importet nga Kanadaja dhe Meksika dhe 10% për importet nga Kina (përveç taksave tashmë të vendosura). Ai ka njoftuar gjithashtu një tarifë prej 25% për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit dhe ka lënë të kuptohet për taksa shtesë për automobilat, produktet farmaceutike dhe çipat kompjuterikë. Edhe Evropa së shpejti mund ta gjejë veten nën shënjestër.
Pasojat e luftës tregtare që Trump duket i vendosur të nxisë mund të jenë të rënda, dhe jo vetëm për shkak të vëllimit të madh të tregtisë që është në rrezik. Zinxhirët e furnizimit sot janë thellësisht të integruar përtej kufijve, duke zënë rreth 50% të tregtisë ndërrajonale. Në shumë raste, komponentët i kalojnë kufijtë disa herë destinacionit përfundimtar, kështu që pagesa e një tarife prej 25% sa herë që një input kalon një kufi do të rriste shpejt kostot.
Le të marrim si shembull Meksikën, e cila ka tejkaluar edhe Kinën si partneri më i madh tregtar i Amerikës në mallra. Përtej ndërprerjes së furnizimeve me avokado meksikane (një shembull i njohur), tarifat do të kishin pasoja serioze në një sektor bujqësor që furnizon 63% të importeve të perimeve në SHBA dhe 47% të importeve të frutave dhe arrorëve.
Industria e automobilave – një nga sektorët kryesorë ekonomikë të Meksikës, duke punësuar më shumë se një milion njerëz dhe duke kontribuar rreth 5% të PBB-së – do të merrte gjithashtu një goditje të madhe. Një raport i fundit i S&P Global tregon se Meksika është tani burimi më i madh i importeve të automjeteve të lehta nga SHBA-ja, duke ia kaluar Japonisë, Koresë së Jugut dhe Evropës. Nissan, për shembull, siguron 27% të shitjeve të tij në SHBA nga Meksika, ndërsa Honda siguron gati 13%, dhe Volksëagen 43%.
Çfarë duhet të bëjë Meksika? Kur Trump vendosi tarifa ndaj fqinjëve të Amerikës në vitin 2018, autoritetet meksikane u përgjigjën në mënyrë strategjike duke shënjestruar produkte që vinin nga shtete amerikane politikisht të rëndësishme, duke vendosur tarifa për mollët, uiskin, djathin, boronicat, mishin e derrit dhe patatet. Por kjo qasje ka kufizime, veçanërisht duke pasur parasysh dimensionet shumë të mëdha të ekonomisë amerikane në raport me fqinjët e saj.
Megjithatë, Meksika, Kanadaja dhe Evropa kanë ndikim. Thembra e Akilit e Amerikës është oligarkia e saj shumë e ndërkombëtarizuar: një grup i vogël individësh ultra të pasur, pasuria e të cilëve varet nga qasja në tregjet globale. Kjo dobësi u jep qeverive të huaja ndikim.
Kundërmasa më efektive është e thjeshtë: tarifa për oligarkët. Vendet duhet ta lidhin qasjen në treg për miliarderët e huaj me një taksim të drejtë. Ndërsa Trump vazhdon me tarifat ndaj Kanadasë dhe Meksikës, ato vende duhet të hakmerren duke taksuar oligarkët amerikanë. Me fjalë të tjera, nëse Tesla dëshiron të shesë makina në Kanada dhe Meksikë, Elon Musk – aksionerit kryesor të Tesla-s – duhet t’i kërkohet të paguajë taksa në ato juridiksione.
Sigurisht, kjo strategji është në mënyrë eksplicite ekstraterritoriale, pasi zbaton detyrime tatimore ndaj aktorëve të huaj në këmbim të qasjes në tregjet vendase. Por në vend që t’i druhen ekstraterritorialitetit, vendet duhet ta përqafojnë atë si një mjet për zbatimin e standardeve minimale, frenimin e pabarazisë, parandalimin e evazionit fiskal dhe promovimin e qëndrueshmërisë.
Ndryshe nga tarifat tradicionale, një taksë oligarke shënjestron ata që përfitojnë më shumë nga globalizimi: miliarderët dhe korporatat që ata kontrollojnë. Ai e zhvendos konfliktin ekonomik nga një betejë midis vendeve – e cila nxit tensione nacionaliste dhe hakmarrje ekonomike – në një betejë midis konsumatorëve dhe oligarkëve.
Për më tepër, kjo qasje mund të shkaktojë një cikël të virtuoz. Vendet me tregje të mëdha konsumi mund të mbledhin taksa që korporatat shumëkombëshe ose miliarderët e huaj i kanë shmangur diku tjetër. Do të bëhej e pakuptimtë që firmat ose individët të shpërnguleshin në vende me taksa të ulëta, sepse kursimet do të kompensoheshin nga taksat më të larta që janë të detyrueshme në vende me tregje të mëdha konsumi. Gara për në fund do të zëvendësohej së shpejti nga një garë drejt majës.
Kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë mbart implikime alarmante. Por ai paraqet edhe një mundësi. Ky është një moment për të rimenduar marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, me qetësi, por në mënyrë radikale. Përgjigja më e mirë është një kornizë e re ekonomike globale që neutralizon konkurrencën fiskale, lufton pabarazinë dhe mbron planetin tonë. Nën një kornizë të tillë, vendet importuese do ta aplimonin drejtësinë fiskale përtej kufijve të tyre, duke garantuar që korporatat shumëkombëshe dhe pronarët e tyre miliarderë të paguajnë pjesën e tyre që u takon.
Nëse Trump dëshiron një lftë tregtare, konsumatorët në Meksikë, Kanada, Evropë dhe më gjerë duhet të bashkohen për të garantuar që Musk dhe kolegët e tij oligarkë ta ndiejnë koston e kësaj.
America’s Oligarchs Are Trump’s Achilles’ Heel