Zlatko Daliç ka çuar Kroacinë aty ku pakkush e imagjinonte të mundur në ditën kur u emërua në pankinën e kësaj skuadre.
Ai arriti të kualifikonte skuadrën në play-off si dhe më pas ta kthente në një nga ekipet më argëtuese të këtij Botërori, duke e çuar në finale të humbur edhe pse luajti më mirë.
Menjëherë pas ndeshjes, fjalët e para të Daliç ishin urime për kundërshtarët, ndërsa çuditi të gjithë duke kërkuar falje para tifozëve.
“Fillimisht dua të uroj Francën për këtë titull. Për ne mund të them se kemi luajtur një ndeshje të madhe, por u penalizuam nga ajo penallti. Pavarësisht kësaj humbje, duhet të jemi krenarë për gjithçka që kemi bërë deri tani.
Ne kemi arritur suksesin më të madh në futbollin kroat, por na ka mbetur diçka peng dhe kërkoj falje pasi ne mund të bënim një tjetër hap më shumë.
Nuk është se Franca na surprizoi, pësuam dy gola të lehtë të cilëve u shtohen një autogol dhe një penallti”, ishin fjalët e trajnerit i cili besonte se realisht ekipi i tij mund të fitonte këtë Botëror.