Shqipëria është në rrugën e duhur, e meriton dhe e ka një vend në Bashkimin Evropian. Me këtë mesazh komisionerja e re për Zgjerim Marta Kos e nisi vizitën e saj të parë në Tiranë.
“Vendi juaj ka ecur vërtet shumë mirë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Me shumë dëshirë duam që Shqipëria të bëhet pjesë e BE dhe ju e meritoni. Sepse me ju brenda Bashkimit Europian, Europa nuk do të jetë thjeshtë më e madhe, por edhe më e fortë. Ju jeni ishull stabiliteti, shembull I fqinjësisë së mirë në rajon dhe kjo është ndonjëherë diçka që ne e harrojmë”, tha Kos.
Ambicia për ta integruar Shqipërinë në BE brenda 2030-ës, kryeministri Rama thotë se duhet të vijë edhe me mbështetje financiare, dhe kërkesat për Brukselin i kishte konkrete.
“Parlamenti i Shqipërisë ka në tryezë sot marrëveshjet financiare për Planin e Rritjes që i hapin rrugë dhe fillimit të financimit të fondeve që janë rreth 1 miliardë euro të dedikuara për Shqipërinë. Kështu që, e dashur Marta ne duam leket tona”, tha Rama.
Për fondet e para-anëtarësimit, komisionerja Kos kërkon zbatimin e reformave, ndërsa vet thotë se do të jetë në krye të një fushate për ta njohur e prezantuar Shqipërinë me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.
“Ne do të fillojmë një fushatë komunikimi, ku me anë të së cilës dëshirojmë të tregojmë se përse Shqipëria do të bëhet, jo vetëm shtet anëtar i Bashkimit Europian, por çfarë vlere të shtuar do t’i sjellë Shqipëria Bashkimit Evropian, pra nëse ju bëheni pjesë e familjes tonë. Së shpejt ne do të kemi edhe një sondazh për zgjerimin, se si po ecën zgjerimi, cili është perceptimi për zgjerimin në Shqipëri dhe në bazë të gjetjeve, do të ndërtojmë edhe një fushatë”, theksoi Kos.
Një ditë pasi partitë politike dorëzuan listat e kandidatëve për deputetë, Komisionerja për Zgjerim shpreson që këto zgjedhje të jenë në standardet e BE-se, ndërsa kryeminsitri Rama garancinë e Partisë Socialiste e dha.
“Partia Socialiste nuk mund të jetë partia e atyre që janë brenda. Partia Socialiste duhet të jetë partia edhe e atyre që janë jashtë saj dhe Partia Socialiste nuk është qëllim, është mjet dhe është mjet që duhet të jetë në dorën e shoqërisë për ta përdorur Me sistemin që kemi ne kemi preferuar që në listat e mbyllura të fusim njerëz që ndryshe nuk do arrinin dot të ishin në Parlament”, vijoi Rama.
Me një ftesë të pazakontë, si sportiste dhe kampione olimpike për të ngjitur majën më të lartë të Korabit kur Shqipëria të mbyllë negociatat, për Kryeministrin Rama Marta Kos kishte edhe një dhuratë, atë që e quajti fanellën e ekipit të BE-së.