Deputeti Dashnor Sula ka tërhequr emrin nga lista e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet.
Mësohet se vendimi është marrë për shkak të mosarritjes së një akordi për mënyrën si do të funksionojë bashkëpunimi në qarkun e Elbasanit.
Ai e ka pasur emrin në pozicionin e listës se hapur, por nuk ka marrë garanci që nëse merr votat e mjaftueshme për të dalë deputet, pesë kandidatët e listës së mbyllur do ta linin mandatin e deputetit.
Po ashtu edhe kreu i Nismës Thurje (pjesë e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet), Endri Shabani, është shprehur se deputeti i PD-së, Dashnor Sula, nuk do të jetë pjesë e listave të kandidatëve për deputetë të koalicionit të drejtuar nga Adriatik Lapaj.
Shabani tha se arsyeja që emri i tij ka qarkulluar në lista, ka qenë për shkak të një diskutimi paraprak që është zhvilluar, pasi Sula u tërhoq nga listat e PD-së.
Ai shtoi se pavarësisht mos-arritjes së një dakordësie, ruan një respekt të veçantë për disa deputetë të PD-së, përfshi edhe Dash Sulën, si dhe për kreun e LZHK-së, zotin Dashamir Shehi.
“Ne duam të konsolidojmë drejtësinë. Çdo njeri që mbështet SPAK është i mirëpritur. Çdo njeri që mbështet garën në shoqërinë shqiptare, është i mirëpritur të bashkohet.
Çdo njeri që nuk ka qenë pjesë e çetës që ka vjedhur Shqipërinë, është i mirëpritur të bashkohet. Dashnor Sula nuk do jetë pjesë e listave tona.
Emrin nuk e ka, ka pasur një diskutim paraprak dhe për këtë arsye ka figuruar emri i tij në lista. Personalisht kam vlerësuar punën e zotit Dash Sula, që është nga të vetmit që ka folur për fermerët, që ka folur pro SPAK.
Kur ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar, e ka pasur derën e hapur”, tha Endri Shabani për gazetaren Loneta Progni.