Doktori ka thirrur Mulin dje, pas protestës, dhe e ka telendisur.
– I ke ngulur thikë pas shpine PD-së dhe revolucionit, – i tha. – Unë harxhoj miliona për LaCivitën, ti nuk mbledh dot 200 vetë në bulevard dhe për më tepër lë tribunën në dorë të njerëzve të çmendur që flasin për Allahun. Na ke diskredituar. Je i papërgjegjshëm, domethënë!
– Unë kërkoj ndjesë, Doktor, por më morën më qafë këta të tjerët. Më thanë: “Mos luaj vendit, se për TikTok-un ngrihet në këmbë gjithë Shqipëria”. Madje më thanë se do vinin edhe socialistë në protestë. Ishte hera e parë që e besova, ngaqë nuk kam TikTok. Dhe zonja Karo, që ka, më tha se është e sigurt që do vijnë.
– Kjo është thikë pas shpine, zotëri! Kaq!
– E kuptoj, – tha Muli. – Po, në fund të fundit, si ne që kishim 200 vetë, dhe Vuçiqi që kishte gjysmë milioni njerëz në rrugë, asgjë nuk ndodhi. As aty nuk u rrëzua qeveria.
– Mos më trego mua ti se çfarë do bëja unë po të kisha jo 500 mijë, por 5 mijë vetë! Ja, do ia tregoja unë Edi Ramës. Por me 200 të çmendur, o zotëri, as tek Ura e Lanës nuk shkohet! Dhe këtë dështim e kam prej teje!
– Janë të mërzitur nga lista, Doktor, nuk vijnë. Plus, ai Edi Rama nuk e mbylli TikTok-un dhe nuk e kuptonin rëndësinë.
– Nejse, këtë nuk ta fal kurrë! Është sikur të dështosh ditën e parë të fushatës. Ky është fundi! Domethënë, ne fillojmë fushatën me 200 vetë, ndërkohë që LaCivita më tha se me TikTok-un dhe Kujtim Gjuzin si konservator mund ta përmbysësh Ramën, nuk të duhem unë!
– Ke të drejtë, – tha Muli. – Kërkoj ndjesë. Kur të mbyll instangramin, kam për të qenë vigjilent.