Ngjarjet e 14 shtatorit 1998 mbeten një nga momentet më të errëta të historisë së medias dhe politikës shqiptare. Martin Leka, ish-drejtor i Radio Tiranës, sjell një dëshmi të detajuar mbi ngjarjet që rrethuan funeralin e Azem Hajdarit dhe sulmin ndaj Radio Televizionit Publik Shqiptar (RTSH), duke hedhur dritë mbi rolin e Sali Berishës në ato ditë të tensionuara.
Martin Leka kujton momentin kur mori vesh lajmin e vrasjes së Azem Hajdarit. Ishte një natë e errët dhe me shi, dhe ndërkohë që qyteti dhe shteti prisnin fillimin e vitit të ri shkollor, tensioni politik arriti kulmin. Berisha e akuzoi menjëherë Fatos Nanon si autor të vrasjes, duke ndezur gjakrat në radhët e demokratëve, të cilët e shndërruan funeralin në një protestë të dhunshme.
“Një ditë më pas, më 14 shtator, Kryeministria dhe RTSH u sulmuan. Në ato vite, armët ishin ende në duart e njerëzve që nga trazirat e 1997-ës. Ajo që ndodhi mund të quhet një tentativë për grusht shteti, sepse pushteti nuk merret me dhunë, por me votë”, tregon Leka për emisionin Esencë në Report TV
RTSH nën sulm: Më morën peng
Si drejtor i Radio Tiranës, Leka ndodhej në qendër të ngjarjeve. Ai kujton sesi turma sulmoi godinën e RTSH, duke shkatërruar dhe uzurpuar ambientet e televizionit shtetëror. Në atë kaos, ai përfundoi i izoluar në Redaksinë e Kosovës, nën mbikëqyrjen e një personi të armatosur.
“Një njeri që nuk e njihja po më ruante me armë. Ose kishte pirë, ose kishte diçka tjetër. Më pas, më thanë se duhej të më çonin te Azem Hajdari, domethënë i vdekur” – tregon ai, duke përmendur edhe rolin e Antoneta Maljes në atë situatë të tensionuar.
Leka arriti të komunikonte me Sami Dushkun, një figurë e njohur e forcave speciale, i cili e ndihmoi të dilte i gjallë nga RTSH. Ai përshkruan sesi, në një moment kritike, Izet Haxhia truproja i Sali Berishës iu afrua dhe e akuzoi si një gazetar që “shante” Berishën.
“Jo,” – i thashë, “unë nuk shaj, shkruaj për Sali Berishën!”
Në atë moment, një telefonatë e Sami Dushkut drejtuar Izet Haxhisë e shpëtoi nga një fat i keq.
“Nëse e prek një fije floku, unë ju hedh në erë!” Këto ishin fjalët e Sami Dushkut që parandaluan një akt të mundshëm dhune
Një televizion nën pushtim!
RTSH u mor peng nga protestuesit e Partisë Demokratike, aq sa kur mësynë situata brenda ishte kaotike.
“Teknikëve të mi u çonin pilaf dhe supë, e shpërndante motra e Azemit në kujtim të tij,” thotë Leka, duke treguar sesi transmetimi i lajmeve u mbajt gjallë nga disa gazetarë të mbetur, përfshirë Vera Isakun dhe Etleva Gjonçajn.
Përveç kësaj, ai përmend edhe përpjekjet e Aleksandër Frangajt dhe Blendi Fevziut për të rikthyer normalitetin në media.
Përgjegjësia e Sali Berishës
Sipas Lekës, Berisha mund dhe duhej ta kishte ndalur turmën, por nuk e bëri.
“Ai e nxiti revoltën për të marrë pushtet. Por pushteti merret me votë dhe me njerëz, jo me dhunë,” thotë ai.
Në retrospektivë, Martin Leka vëren se politika e Berishës ka pasur gjithmonë një “nuancë dhune”, dhe se ngjarjet e asaj kohe tregojnë se si media dhe gazetarët u vunë në rrezik nga një klimë e egër politike.
Martin Leka shprehet edhe për shkaqe të tjera të klimës gazetareske:
“Janë ngjarje që as nuk mund të imagjinohen sot. Dita e 14 shtatorit 1998 ishte e gjatë sa një jetë e tërë”, tha ai.