Boran Bërcama dhe bashkëjetuesja e tij, me të cilën kishin sjellë në jetë një fëmijë, janë gjetur të vrarë brenda automjetit të tyre mëngjesin e sotshëm.
Dy viktimat dyshohet të jenë ekzekutuar gjatë natës, ndërsa janë pikasur nga banorët e lagjes “Naim Gjylbegu”, Shkodër, rreth orëve të para të ditës.
Brenda automjetit, bashkë me trupat e viktimave, ka qenë edhe fëmija i tyre i mitur, i cili ndodhej në pjesën e pasme të makinës, por pas atentatit është gjetur i përgjumur në prehërin e nënës.
Deri në këto momente nuk ka ende një pistë të qartë hetimi, ndërsa ngjarja është një atentat i mirëmenduar, pasi autorët kanë qëlluar në shenjë, me breshëri plumbash, në pritë.
Bërcama kishte 8 muaj që ishte kthyer nga Franca, ku kishte jetuar 2 muaj. Disa raportimet flasin se ai kishte kërkuar azil atje, por që i është refuzuar.
Pista e parë e hetimit është ajo e një konflikti të mundshëm familjar, por po hetohet gjithashtu edhe përfshirja e viktimës në ndonjë veprimtari të paligjshme, megjithëse emri i tij nuk rezulton i skeduar më parë.