“Shkrihet” Gjykata Kushtetuese. Prej disa muajsh organi më i lartë gjyqësor në vend funksiononte në mënyrë jonormale, por tashmë vendimmarrjet në këtë organ do të jenë akoma më të vështira. Kjo për faktin se ditën e djeshme ka dhënë dorëheqjen anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj duke e futur akoma më shumë në një ngërç këtë institucion.
Ka qenë vetë Besnik Imeraj, ai që përmes një letre drejtuar Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar dhe arsyet e dorëheqjes së tij. Sipas Imerajt dorëheqja e tij ka ardhur si pasojë e problemeve shëndetësore dhe atyre familjare. Në kuadër të këtyre problemeve të shfaqura nga ana e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj, vetë institucioni i Gjykatës Kushtetuese është mbledhur me urdhër të kryetarit të këtij institucioni dhe ka vendosur mbarimin e mandatit të këtij të fundit.
Ka qenë vetë Gjykata Kushtetuese e cila përmes një njoftimi ka bërë të ditur mbarimin e mandatit të Besnik Imerajt. “Me datën 31.01.2018, anëtari i Gjykatës Kushtetuese, z.Besnik Imeraj, paraqiti kërkesën për dorëheqjen nga funksioni i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, për arsye personale dhe shëndetësore. Gjykata Kushtetuese, pasi u vu në lëvizje me kërkesën e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese me vendimin nr 2, datë 31.01.2018, vendosi deklarimin e mbarimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, z. Besnik Imeraj, për shkak të dorëheqjes se tij”, njoftoi Gjykata Kushtetuese dje. Ndërkohë është mësuar se dorëheqja e Imerajt, ka ardhur pak ditë para se të thirrej në organet e vetingut.
Ai ishte gjithashtu një ndër figurat e para në listën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që do të thirrej nga organet e vetingut. Imeraj para se të merrte postin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese ka shqyrtuar dosjen e Lulzim Bashës, për rrugën Durrës-Kukës dhe atë të Ilir Metës, pas video-përgjimit të Dritan Priftit.
Kushtetuesja mbetet me 6 anëtarë
Dorëheqja e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj e ka futur organin gjyqësor më të lartë në vend në një kolaps. Kjo për faktin se Gjykata Kushtetuese rrezikon të ndodhet në prag të kuorumit, me 5 anëtarë, ndërsa numri aktual i anëtarëve, pas dorëheqjes së Imerajt, është 6 nga 9 që duhet të jetë numri total i trupës gjykuese.
Por ndonëse me 6 anëtarë problemet në Kushtetuese nuk kanë fund pasi trupa nuk mund të marrë dot vendime për çështje të ndryshme sepse për të marrë vendime duhet një shumicë prej 5 votash. Madje këtu mund të kujtojmë dhe rastin e Kodit të Procedurës Penale ku Kushtetuesja nuk mori dot vendim ndonëse votoi 4 pro dhe 3 kundër në favor të Unionit të Prokurorëve, pasi nuk pati votat e mjaftueshme. Megjithatë dhe pse me 6 anëtarë, problemet në Kushtetuese nuk kanë fund pasi anëtarja Altina Xhoxhaj, prej gati një muaji për shkak të problemeve shëndetësore, ka marrë leje dhe nuk është më prezente në trupën e Kushtetueses.
Pikërisht me këtë mungesë dhe largimin e Besnik Imerajt, trupa e Gjykatës Kushtetuese shkon nga 6 në 5 anëtarë. Megjithatë problemet në Kushtetuese nuk kanë fund pasi ajo ç’ka e fut akoma më shumë në kolaps këtë institucion është se në trupën e Gjykatës Kushtetuese i ka mbaruar mandati 9-vjeçar edhe anëtares Vitore Tusha, e cila për shkak të një interpretimi ligjor po qëndron ende në detyrë në pritje të zëvendësimit të saj. Pra duket se Kushtetuesja në rast moskthimi të anëtares Altina Xhoxhaj dhe largimit nga detyra të Vitore Tushajt, atëherë funksionimi i saj do të bllokohet.
Kushtetuesja në ngërç
Anëtarët e rinj të Kushtetueses do votohen nga Kuvendi, por përpara se të votohen duhet që të kalojnë vetingun. Megjithatë organet e reja nuk janë ngritur akoma pasi janë ende në proces ngritje dhe kjo gjë e shtyn procesin në një kohë të papërcaktuar. Por duke parë problemin e Kushtetueses mosngritja e institucioneve të reja të drejtësisë brenda këtyre dy muajve do të shkaktonte një ngërç në organin më të lartë gjyqësor në vend./Endri ARIZI