Në mbledhjen e sotme qeveria ka vendosur që datat 15 dhe 16 maj të jetë ditë pushimi për punonjësit e institucioneve të administratës shtetërore në territoret e bashkive Tiranë, Kamzë, Vorë dhe Krujë. Nga kjo përjashtohen Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Garda e Republikës, shërbimi zjarrfikës dhe punonjësit e sistemit shëndetësor.
Arsyeja e pushimit lidhet me mbajtjen e samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë.
Sipas vendimit të qeverisë, dita e punës do të zëvendësohet në ditët e pushimit brenda vitit 2025. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Vendimi i Këshillit të Ministrave
CAKTIMIN E DATAVE 15 DHE 16 MAJ 2025 DITË PUSHIMI PËR PUNONJËSIT E DISA INSTITUCIONEVE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE
Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Caktimin e datave 15 dhe 16 maj 2025 ditë pushimi për punonjësit e institucioneve të administratës shtetërore, me seli në territoret e bashkive Tiranë, Kamzë, Vorë dhe Krujë, me përjashtim të Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të shërbimit zjarrfikës dhe të punonjësve të sistemit shëndetësor.
2. Dita e punës së datave 15 dhe 16 maj 2025, për punonjësit e institucioneve të administratës shtetërore, sipas pikës 1 të këtij vendimi, do të zëvendësohet në ditët e pushimit brenda vitit 2025.
3. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore, të përmendura në pikën 1, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.