Vendimi i zbardhur i Gjykatës së Apelit për mbajtjen në burg të Erion Veliajt, është një përgënjeshtrim i ri për propagandën e SPAK ditën e gjyqit dhe pas tij.
Të gjitha lajmet e infiltruar nga SPAK në media, përfshirë dhe të “tregtarëve” zyrtarë të tij, flisnin për prova të reja të dala nga përgjime në qeli, që implikonin rëndë Erion Veliajt.
Madje një kopje e këtyre “provave” po botohet në një portal që vetëparaqitet si organ zyrtar i SPAK.
Edhe pse u bë i bezdisshëm debati se kush i nxori përgjimet, sot kam parë kopjen që kanë marrë avokatët dhe kopjen që është botuar në shtyp.
Janë tërësisht të ndryshme si nga formati i faqosjes ashtu edhe nga përmbajtja.
Në kopjen e botuar në shtyp, është fjalimi i prokurorit Olsi Dado i mbajtur në Gjykatë, i formuluar si fjalim ku argumentet ilustrohen me copëza përgjimesh të futura si “prova”.
Në kopjen që kanë avokatët nuk ka as fjalim e as paraqitje provash, por thjesht tabela përgjimesh, me kuadrate – nga ora kaq në orën kaq, ky numër telefoni me këtë numër telefoni – siç është formati zyrtar i përgjimeve.