Mundësi ruso-shqiptar Chermen Valiev u shpall kampion i Evropës në Kampionatin Evropian që u zhvillua disa ditë më parë në Bratislavë të Sllovakisë, teksa në momentin e ndarjes së medaljeve ai u has me një situatë aspak normale.
26-vjeçari që përfaqëson Shqipërinë u ndesh me fyerjet dhe sharjet e presidentit të Federatës Ruse të Mundjes, Mikhail Mamiashvili.
Ky i fundit i tha mundësit kuqezi që është një tradhtar. Kjo, pasi ai zgjodhi vendin tonë dhe në finale mposhti pikërisht një sportist rus.
“Më quajti tradhtar të atdheut. Isha i hutuar”, ka thënë Valiev për median ruse “Match TV” të enjten.
Ai është pyetur nëse ka pasur takim pas skandalit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
Mamiashvili gjatë ndarjes së medaljeve, iu afrua Valievit dhe shkëmbeu disa fjalë me të. Më pas i vuri në mënyrë të vrazhdë dhe më pas me forcë e kapi për duarsh.
“Unë iu afrova atij, por organizatorët nuk më lejuan”, ka theksuar Valiev.
Valiev në qershor të vitit 2024 vendosi të përfaqësojë Shqipërinë, ku sukseset nuk i kanë munguar.
“Kur vendosa të paraqitem për një vend tjetër (Shqipërinë), respektova të gjitha procedurat ndërkombëtare. Gjithçka ishte zyrtarisht e firmosur.
Kam paguar një tarifë prej pesë mijë eurosh për Federatën Ndërkombëtare të Mundjes dhe pesë mijë euro për Federatën Ruse të Mundjes”, tregon ai.