Live konferenca e parë për shtyp e Cristiano Ronaldos si lojtar i Juventusit
– Si ndihesh?
“Jam shumë i përgatitur për këtë sfidë. Kam besim dhe besoj se gjërat do të shkojnë si në klubet e tjera ku kam luajtur”.
– A je i mërzitur për largimin nga Real Madrid?
“Nuk jam aspak i mërzitur. Jam te një klub i madh me lojtarë të mëdhenj. Kam falënderuar Juventus-in për mundësinë që më ka dhënë.
– A do të vazhdosh të luash me kombëtaren?
“Nuk do t’ia kthej kurrë krahët kombëtares, nëse do të ketë nevojë për mua”.
– A ke ndonjë mesazh për tifozët e mërzitur të Real Madrid?
“Siç thashë më parë, ka qenë një histori e jashtëzakonshme ajo që kam pasur me Real Madrid, një klub që më ka ndihmuar shumë. Falënderoj tifozët, por tani duhet të nis një kapitull të ri të jetës sime”.
– Çfarë i thoni tifozëve të Juventus që ju kanë kërkuar Champions-in?
“Do të kërkoj t’i tregoj italianëve se jam një lojtar shumë i mirë, por nuk mendoj se kam diçka për të treguar. Më pëlqejnë sfidat, nuk jam asnjëherë i kënaqur me veten. Duhet të kesh edhe fat, por edhe duhet ta kërkosh fatin. E di se Champions League është një trofe që e duan të gjithë. Ekziston mundësia që ta fitojmë, por do të luajmë për të gjitha kompeticionet: Seria A, Champions, Kupa e Italisë. Champion është shumë i vështirë, siç e ka provuar vetë Juventus në finalet e fundit. Shpresoj të kem fat dhe ta fitojmë”.
– A kanë ndikuar te vendimi juaj duartrokitjet që keni marrë nga tifozët bardhezinj në ndeshjen e Champions League kundër Juventus?
“Ka qenë një moment shumë i bukur dhe special. Edhe pritja e sotme ka qenë shumë e bukur, motivuese për të ardhmen. I falënderoj për gjithçka”.
– A e dije që do të vije tek Juventus në përfundim të finales së Champions League?
“Nuk kisha vendosur akoma asgjë. Nuk mendoja se do të vija te një klub kaq i madh. Falë presidentit Agnelli dhe gjithë klubit që kanë menduar për mua. Jam mirë fizikisht dhe emocionalisht. Kjo etapë e re është një motivim i madh për mua”.
– A keni pasur oferta të tjera?
“Jo, ka qenë e vetmja”
– Kur do të vijë debutimi me Juventus?
“Do të filloj të stërvitem me 30 korrik. Dua të luajë në ndeshjen e parë të kampionatit”.
– A do të shkosh te Sporting në përfundim të kontratës me Juventus?
“Sporting është një skuadër shumë e rëndësishme për mua. Ajo që dua është të fitoj me Juventus, nuk kam ardhur këtu me pushime. Do të kërkoj t’ju befasoj të gjithëve”.
17:30-Klubi i Juventusit ka postuar një tjetër video së fundmi të Cristiano Ronaldos, futbollisti që pas pak çastesh do të hedhë të zezën mbi të bardhë në kontratën 4-vjeçare.
Portugezi gjatë ditës së sotme pasi ka përshëndetuar dhe dhënë autografe për fansat ka takuar edhe shokët e rinj të ekipit.
Në qendrën stërvitore të klubit, portugezi ka takuar disa prej lojtarëve, ndërsa më pas ka shkuar në ambientet e brendshme ku është njohur me të gjithë pjesën tjetër.
Siç duket edhe nga video është Chiellini personi më i afërt me 33-vjeçarin, duke qenë edhe se ka ndarë shumë ndeshje me njeri-tjetrin në fushë, sigurisht si kundërshtarë./BW