Emisari special i presidenti amerikan Donald Trump, Richard Grenell ka kërkuar ndalimin e financimit për Gjykatën Speciale. Në një postim në rrjete sociale, Grenell, një kritik i ashpër i këtij organi të drejtësisë, shprehet se është politike dhe janë shpërdoruar miliarda para për të.
“Ndalni fondet për këtë gjykatë! Është gjithçka politikë. Miliarda janë shpenzuar dhe shpërdoruar.”, ka shkruar ai.
Ky koment erdhi pas një postimi lidhur me një shkrim, ku shihej kryeprokurorja e Speciales, Kimberly Ëest, dhe prokurorja tjetër Silvia D’Ascoli, që kishin pëlqyer një postim që kritikonte Trump.
Grenell, i cili më parë ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, ka shprehur vazhdimisht pakënaqësi ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar si institucion me prirje politike që ka penguar paqen në Ballkanin Perëndimor.
Reagimi më i fundit i tij kundër gjykatës ishte në mars, kur Hashim Thaçit iu refuzua kërkesa për të marrë leje për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, Haxhi Thaçi.