Ministrat e jashtëm të BE-së rikonfirmuan mbështetjen për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas ka mbajtur një konferencë për shtyp pas takimit të ministrave të Jashtëm në Luksemburg.
Kallas tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e familjes sonë evropiane, ndaj procesi i integrimit është shumë i rëndësishëm për këtë.
Gjatë konferencës, Kallas tha se vendi ynë ka bërë reforma domethënëse. Sipas saj, Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë hapa të rëndësishëm dhe shprehu bindjen se këto dy vende do të jenë histori suksesi në këtë proces.
“Kam takuar kryediplomatët nga Ballkani Perëndimor. Edhe në takimin e ministrave të Jashtëm ne e bëmë të qartë se stabiliteti në këtë rajon është thelbësor. Nëse shikoni hartën, këto vende janë gjeografikisht në Evropë.
Ato duhet të jenë pjesë e familjes sonë evropiane, ndaj procesi i integrimit është shumë i rëndësishëm për këtë. Vëmë re se Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë hapa të rëndësishëm domethenës me reformat integruese.
Jam e bindur se këto dy vende do të jenë histori suksesi në këtë proces. Ne duhet të ecim më shpejt drejt anëtarësimit të tyre në BE.
Ne gjithashtu duam të ecim përpara me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shumë prej ministrave deklaruan se çdo pjesëmarrje në paradën e 9 Majit në Moskë do të ishte kundërproduktive për palën serbe”, tha Kaja Kallas.
Zgjerimi i BE, bazuar në meritë është prioritet i presidencës polake, sipas ministrit të Jashtë të Polonisë, Radosław Sikorski.
Në konferencën e përbashkët për shtyp në Luksemburg me kryeministrin Edi Rama dhe komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, Sikorski u shpreh se kapitujt që hapen sot, janë jetike për integrimin ekonomik të Shqipërisë.
“Presidenca polake mbështet një zgjerim të mbështetur në meritë. Ambicia e presidencës për të bërë progres në zgjerim, politika ambicioze e zgjerimit, është diçka për të cilën kemi punuar pa reshtur. Kapitujt që hapëm sot janë jetikë në integrimin ekonomik të Shqipërisë. Ju përgëzoj kryeministër Rama, shumica dërrmuese e popullit shqiprtar, mbështet rrugën ku ju jeni. Kjo është shtysë pozitive për ne. Përgëzoj Shqipërinë që është partnere dhe mbështetëse e palëkundur e Ukrainës”, theksoi ai.