Njeriu i Viktor Orban, Antal Rogan është hequr nga lista e sanksioneve amerikane.
Rogan është shef kabineti i kryeministrit hungarez, Viktor Orban dhe një nga personat më të afërt me të.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio deklaroi se Rogan po hiqej nga lista e sanksioneve pasi dezinjimi i tij nuk ishte në përputhje me interesat e politikës së jashtme të SHBA.
Menjëherë pas këtij vendimi, ata që janë gëzuar më shumë nuk janë në Hungari, por në Shqipëri.
“Filloj ndryshimi, prisni, Nuk keni pare gje akoma”, shkruan Çlirim Peka.
“Interesant është fakti se rasti i Rogan ngjan shumë me rastin e liderit të opozitës shqiptare, Sali Berisha.
Mediat e majta dhe politikanët liberalë kishin paralajmëruar se procesi i heqjes së non-gratës për Rogan ishte i vështirë, por ky vendim tregoi se nuk është kështu”, shkruan portali i familjes Berisha, duke nënkuptuar kështu se do t’i hiqet “non grata” edhe Sali Berishës.
“Pas shpalljes së tij non-grata, qeveria e Orban deklaroi se nuk kishte asnjë provë kundër tij, por vetëm të dhëna që ishin dërguar në SHBA nga Soros dhe organizatat e tij joqeveritare”, vijon shkrimi i portalit të familjes Berisha.
Pavarësisht se duan të heqin analogji, rastet e tyre nuk janë të ngjashme.
E para, ndryshe nga Rogan, që nuk po hetohet apo gjykohet në vendin e tij, Berisha është nën hetim dhe pritet të gjykohet për korrupsion.
Pra, nuk është shpallur non grata pa baza dhe vetëm nga “lobimi i Sorosit dhe raportimet e organizatave të tij jo qeveritare”.
Fakti që është në gjykatë për korrupsion, flet vetë.
E dyta, Orban është aleati kryesor dhe më i ngushtë i Donald Trump në Europë.
Dhe sanksionet ndaj Rogan, siç u shpreh dhe vetë sekretari Rubio, u hoqën sepse nuk përputhen me interesat e Amerikës së drejtuar nga Donald Trump.
Pra, ai i bëri një favor aleatit të tij.
Berisha ndërkohë, as nuk është aleat i Trump dhe as nuk ka ndonjë peshë në politikën botërore.
Ai po paguan miliona, për t’iu afruar Trump, duke punësuar Chris LaCivita, por ky i fundit e bëri të qartë për Blendi Fevziun, se përfaqëson veç veten e vet dhe jo Qeverinë amerikane.
Ndaj, pavarësisht entuziasmit dhe dëshirës për të gjetur analogji mes dy rasteve, nuk ka asnjë të tillë.