Nga Besi BEKTESHI
Ka një vendim të mirëpritur të qeverisë, për t’u shtruar dhe sigurisht rregulluar rruga Qaf Thore dhe deri në Theth! Historia e kësaj rruge asnjëherë normale, fillon nga viti 1935-1936 ku ka shkuar realisht automobili dhe ka filluar po realisht, një turizëm klimaterik i asaj kohe! Janë fotot e inagurimit të rrugës dhe pastaj dhe ngritjes së institucioneve që nga ajo kohë dhe po ashtu nën pushtimin fashist! Urbaniteti i plotë si fshat dhe si qendër në Theth e Breg të Lumit, sigurisht ka ekzistuar dhe ka pasur një cilësi organizative mbas viteve 1960-1970, për t’u bërë një vend, ku kishte një rrugë jo të mirë, por një qendër fshati, shkollë, spital dhe ku u mbrojtën shumë shtëpi kulla si monumente kulture, ku kishte një Muze Etnografik, ku shkonte kinemaja dhe shkoi dhe elektrifikimi dhe ku ishin dhe në atë kohë mrekullitë natyrore të paprekura nga asgjë rrënuese që ka si zakon “urbanizues” njeriu dhe modeli i tij! Gjatë viteve 1980-të, shteti restauroi dhe mirëmbajti shumë kulla në Theth dhe gjithë zonën e veriut. U ruajt në mënyrë të veçantë kultura ndërtimit të krahinës dhe akoma më shumë Thethit! Tradita dhe standartet e saj të jashtëzakonshme u bënë dhe mburoja e një thesari kulturor i ardhur nga shekujt! Normalisht asnjëherë nuk u shtrua rruga, por nga ana tjetër, urbanizimi që hedh betone dhe prish struktura të trashëgimisë nuk erdhi në Theth! Sigurisht Thethi është perlë e jashtëzakonshme e kulturës turistike shqiptare dhe padyshim parajsa e të huajve që duan të zbulojnë Alpet Shqiptare! Ndërtimi aty është (duhet të jetë në fakt) vetëm gurë dhe dru, asgjë tjetër!
Mungesa e rrugës ka lënë mbrapa turizmin e kësaj treve, por në anën tjetër, suksesi që qeveria e Shqipërisë bëri si me shtrimin e rrugës deri në Qaf Thore dhe sjelljen e saj nesër në Theth, apo pasnesër shtrimin e rrugës nga Prekali në Breg të Lumit e Ndërlysaj që pastaj të bie nga ana tjetër në Theth sjell urbanitetin pa kontroll edhe në perlën turistike të Shkodrës dhe Shqipërisë! Sigurisht qeveria shqiptare ka bërë mirë që e shpalli dhe zonë të mbrojtur monumentale në 2017-tën dhe kjo u bë që ti paraprinte dhe zhvillimeve urbane me betoneve, por dhe krimit ekologjik, monumental, e turistik në Theth! Pra përveç Parkut Kombëtar, Thethi është dhe “Zonë e Mbrojtur Historike” dhe me këmbënguljen e madhe në atë kohë të Zëv Ministrit të Kulturës Zef Çuni si një ish drejtor u monumenteve të kulturës para viteve ’90-të, por dhe arkitekt që njeh strukturat e kullave dhe ndërtimet në Theth shumë më mirë se sa njerëzit e drejtimit të monumenteve sot! Ai ka riparuar dhe restauruar disa dhjetra kulla si në Theth e Tropojë, por dhe veri të Shqipërisë!
Çfarë po ndodh sot në Theth? E para, po hidhen betone dhe betonin e parë e hedh shteti apo pushteti në Shkodër, me një ndërtesë të shëmtuar, anti traditë kulturore në ndërtim në këtë krahinë që është prova më e mirë se shteti vetë ose pushteti vendor i Shkodrës është armik i ruajtjes së trashëgimisë! Thethi në mënyrë të shëmtuar po parcelizohet si Razma! Thethi nuk ka një qendër, por ka gardhe të cilat kanë nga një shteg dhish-ë që të çon te pronari që ka një medemek “guesthause” me pllaka majolike dhe çati llamarinë, por dhe me betone e arkitekturë të shëmtuar! Po të mos ishte Kisha e Thethit që është në qendër, nuk do të kishte as atë hapsirën e madhe lëndinë të jeshiltë! Edhe në oborrin e Kishës së Thethit qëndrojnë furgonxhinjtë që bërtasin dhe shajnë me fjalë të ndyra për tu treguar sa më “profesionistë” të zanatit të marrjes së udhëtarëve! Reklamat janë një shëmtirë dhe ato të shkruarat me imitime të shkrimeve të vjetra të prodhuara nga secili në vete përbëjnë dhe konceptin e zhvillimit aventuresk, amatoresk, jo harmonik, jo të studiuar dhe me konkurencë të egër mes njeri tjetrit?! Në Theth, ka probleme mes pronës reale dhe 7501! Në Theth, po ndërtojnë jo vetëm me beton, por dhe me “tulla me bira”! Guri dhe rrasa e tij, (Thethit) dërrasa mbi çati dhe trashëgimia janë një përdorim gjithnjë e më i pakët dhe ato që e ruajnë këtë traditë, me të vërtetë përbëjnë një rast për tu falenderuar! I pritur te zoti Koçeku një i moshuar tepër dashamirës, absolutisht në dijeni të qartë se çfarë kishte qenë Thethi dhe çfarë po tentonte të ndryshonte sigurisht jo për mirë, mu saktësua dhe panorama turistike e Thethit të mrekullueshëm!
Lokalet e shëmtuara në ndërtim dhe karakteri i humbur i formës e përmbajtjes në turizëm, tashmë po rrezikon që edhe Thethi të kthehet në qendër urbane pa kontroll ndërtimesh dhe urbanitet anarkist që bën dëme të mëdha dhe ndoshta pa kthim! Nuk ka as kontroll territori dhe nuk ka as pushtet, që mban nën kontroll si ndërtime dhe zhvillim! Megjithë Parkun Kombëtar dhe “Zonën e Mbrojtur” nga monumentet, Thethi po rrezikon shumë nga rruga që po bëhet përditë e më e lehtë për t’u përshkuar nga turistët nga bota dhe Shqipëria e Kosova! Që nga viti 2013 dhe në këtë verë, turistët janë trefishuar në Theth! Po, dhe është zgjatur dhe sezoni turistik! Turistët kanë mundësinë e ushqimit të mirë, mikpritjes e cila sa vjen dhe bëhet më konkurente dhe nganjëherë “mbetaqefëse” mes Thethi-anëve dhe rrugëtimet në mrekullitë natyrore dhe antike e të më vonshme të këtij vendi të madh në malësitë e Shkodrës! Po po, që nga Grunasi antik dhe kullat e vjetra!
Tashmë nuk është më problem i madh, por kjo që po shtroj, është emergjencë! Në Theth nuk ka kontroll territori nga Bashkia e Shkodrës dhe po ashtu dobët shumë është dhe shteti shqiptar! Dakord se Bashkia e Shkodrës është diçka që nuk ka lidhje me punën, turizmin dhe investimet, por shteti duhet të kujdeset! Ai shtet që po i çon rrugën, asfaltin Thethit! Ky vend është një mrekulli që po sulmohet nga “urbaniteti” më arrogant dhe i shëmtuar që vetëm në Shqipëri dinë të bëjnë! Pa shkuar rruga ose asfalti dhe tashmë betonet dhe ndërtimet anti ligj dhe anti leje janë bërë si kërpudha, imagjinoni se çfarë do të ndodhë, kur rruga të shkojë në qendrën e tij! Sigurisht po të lejosh këtë rritëm, nesër do të jetë shumë vonë!