Hakerat po shndërrohen në një rrezik serioz për llogaritë online të biznesit e qytetarëve në vend. Shefi i seksionit për krimet kompjuterike të Tiranës thotë për ABC Neës se transfertat e këtyre parave bëhen deri në Afrikë.
Pre e grabitjeve online kanë rënë edhe qytetarë që marrin pagat në banka të nivelit të dytë.
Rreth 70 bisnesmenë nga kryeqyteti janë mashtruar on-line gjatë 6 muajve të parë të 2018-s. Ky shqetësim evidentohet nga shefi i Seksionit për krimet kompjuterike në drejtorinë e Policisë së Tiranës, Artan Dashi. Në një intervistë për ABC Neës, Dashi tregon rrugën që zgjedhin hakerat për të ndërhyrë në të dhënat e email-it të kompanisë që është me qendër në Shqipëri.
“Në momenti që biznesmeni do të blejë bazë materiale në një firmë mëmë qoftë në Itali, Greqi apo Gjermani dërgohet proforma. Atëherë ndërhyjnë hakerat me programet e tyre, të cilët bëjnë transferimet e email-it të mëmës dhe nuk i vijnë biznesit shqiptar këto email-e. Te proforma hakeri ndryshon vetëm të dhënat e llogarisë. Tashmë ato nuk janë më në Itali, Greqi apo gjermani, por në Poloni”, tha shefi i seksionit për krimet kompjuterike, Artan Dashi.
Artan Dashi pohon se, paratë pasi janë hakeruar transferohen fillimisht në bankat angleze e pas transferohen në Afrikë.
“Sistemi bankar në Angli ka dhe veprime online që jo domosdoshërisht personi duhet të jetë vetë ai që duhet të hapë llogarinë apo të shkojë në bankë. Ai çon letrën e hapjes së llogarisë online dhe vetë nis po online për tranferimin. Dhe i ndan në disa nënllogari e i çon në banka në shtete të tjera, sidomos bëhet transferimi i tyre në banka të Afrikës”, u shpreh shefi i seksionit për krimet kompjuterike.
Përveç biznesmenëve pre e hakerimit të shpeshtë janë edhe qytetarët që marrin rrogat e tyre në bankat e nivelit të dytë.
“Nëse një person rri dy tre minuta në ATM (bankomat) dhe shikoni që vendos sende të huaja të kontaktojë me ne. Shumica e këtyre shtetasve janë të huaj, bullgarë apo rusë”, tha Dashi.
Dëmi nga mashtrimet kompjuterike nga Janari deri në fillim të Korrikut 2018 ka qenë afërsisht 600 mijë euro. Ndërsa për vitin 2017 shifra ka që 1.4 milionë euro.