Ekipi Under 11 i Akademisë Triump, ka fituar turneun Yes Cup në Milano të Italisë duke mundur në finale gjigandët anglezë të Quens Park Rangers. Ekipi i 11 vjeçarëve të Triumph Academy, ka vijuar të çudisë futbollin e moshave, duke dominuar një nga turnetë më të mëdhenj të futbollit europian, Yes Cup, zhvilluar në Milano 17-20 prill, madje ceremonia e hapjes u zhvillua në tempullin e futbollit botëror, stadiumin mitik San Siro.
Ekipi i drejtuar me pasion nga trajneri Mateo Metaj ka treguar dominance që në ditën e parë të aktivitetit duke fituar 2 ndeshjet e para me rezultate të jashtëzakonshme, 12-3 përballë zviceranëve të SV Muttenz dhe më pas 9-0 ndaj moshatarëve italianë të Arese.
Një paraqitje e shkëlqyer e futbollistëve të vegjël të akademisë së dyshes Andi Lila-Endri Renxa, të cilët kanë dhënë leksione futbolli në mes më të mirëve të futbollit europian për moshat. Për të kaluar në gjysmëfinale, ekipi i Mateo Metaj, e ka pasur krejt të thjeshtë ndaj italianëve të Bagese.
Triumph u kualifikua si e para e grupit dhe me një lojë fantastike. Në gjysmëfinale, ekipin e Mateo Metaj e priste një nga ekipet pretendente për fitoren e kupës, italianët e Cisanese, të cilët kishin dominuar ndeshjet e grupit të tyre. Një ndeshje spektakolare, e luftuar dhe me shumë emocione, në fund ka çuar në finale ekipin shqiptar të Triumph Akademi, të cilët me paraqitjen e tyre kanë mahnitur specialistët dhe tifozët pjesëmarrës në këtë turne shumë prestigjioz.
Pas një barazimi spektakolar 4-4, ekipi shqiptar shënoi të gjithë 11 metërshat dhe priti 2 nga 3 gjuajtjet e italianëve dhe kështu meritoi finalen e madhe të turneut.
Fati i vuri futbollistët e vegjël shqiptar përballë një ekipi të madh anglez si QPR të cilët shikoheshin si favoritët kryesore në këtë finale. Por talentët shqiptarë nën drejtimin e një trajneri me shumë perspektivë si Mateo Metaj, ulën me këmbë më tokë gjigantët anglezë dhe dominuan ndeshjen finale. Pjesa e parë u mbyll 2 me 0, me një dominim të plotë. Në pjesën e dytë shqiptarët e Triumph shënuan sërish edhe 2 gola, ndërsa anglezët u mjaftuan me vetëm një gol ngushëllimi në fund të ndeshjes.
Me këtë rezultat ekipi shqiptar Triumph Under 11, u shpall kampion i padiskutueshëm i turneut dhe solli kupen në Tiranë. Kjo është kupa e tretë brenda 4 muajsh për Triumph U11, të cilët në nëntor fituan kupën PAS Janina në Greqi dhe kampionatin e parë të Futsal në fillim të vitit.