Në konferencën e përbashkët për shtyp me komisionerin Johannes Hahn, kryeministrit Edi Rama tha se nga një vit më parë Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm në lidhje me 5 prioritet për çeljen e negociatave.
I pyetur nga gazetarët, kreu i qeverisë tha se arma më e fortë që qeveria do të përdorë për hapjen e negociatave është “pasioni për vendin”.
“Përsa i përket, armës sonë më të fortë, doni s’doni është pasioni që ne kemi për Shqipërinë edhe pse në momente të caktuara nuk e shfaqim si duhet. Pasioni ynë për vendin është i pakonkurrueshëm,” tha Rama.
Për kreun e qeverisë, është e jashtëzakonshme ajo çfarë është bërë në një vit, por e pamjaftueshme nëse e krahasojmë me vitet në vijim.
“Ajo që është e rëndësishme dhe që shpesh lihet mënjanë është progresi që bën vendi në këtë proces muaj pas muaji pavarësisht se si shkojnë gjërat në raport me dëshirën tonë. E thënë ndryshe, Shqipëria sot e krahasuar me Shqipërinë e një viti më parë është më e përparuar në lidhje me 5 prioritetet.
Nëse 5 vite më parë ishim në një betejë politike, do ketë Vetting apo jo, a do hidhet apo s’do hidhet ky hap, sot një vit më vonë ne po shohim pastrim të përditshëm dhe brutal të pallatit të drejtësisë. Nëse e shohim se ku duhet të jemi 1 vit më vonë, është e pamjaftueshme por nëse e shofim me një vit më parë është e jashtëzakonshme. E kërkon e ardhmja e vendit tonë, dhe ne kemi marrë vlerësim të merituar, nuk do ishin afruar kurrë Franca e Holanda sic u afruan në moment të fundit nëse nuk do të ishin rezultatet ato që flasin,” tha Rama.