Komisioneri Johanes Hahn ka rritur presionet ndaj Presidentit Ilir Meta, sa i takon çështjes së kufirit detar me Greqinë. Ditën e djeshme ai ka mbërritur në Tiranë në kuadër të nisjes së përgatitjeve për hapjen e negociatave, por pati një takim kokë më kokë me Presidentin Ilir Meta.
Çështja më sensitive e diskutuar mes palëve është ajo e marrëveshje me Greqinë. Presidenti Ilir Meta është personi i cili ka dorë marrëveshjen e re detare dhe deri më tani ka dhënë sinjale se nuk do e firmosë. Meta ka kërkuar nga ministri Bushati shumë informacione dhe kjo ka sjellë vonesa. Por komisioneri Hahn në takimet që ka pasur dje me Ramën dhe me Metën e ka bërë të ditur se marrëveshja e re është kusht për negociatat.
Vetë kryeministri në konferencën me Hahn e tha hapur se qeveria është e gatshme për një kapitull të ri me Greqinë, por tashmë topi është te presidenti. Është ai i cili duhet të japë firmën që pakti të shkojë në Parlament. Meta deri më tani nuk po lëviz nga qëndrimi tij dhe dje ka ndërhyrë Hahn, i cili ka kërkuar që të mos ketë asnjë pengesë. Ai ja ka thënë hapur Presidentit se nëse nuk zgjidhen mosmarrëveshjet mes dy vendeve nuk ka negociata. Meta tani duket se është mes dy “zjarreve”. Nga njëra anë është BE dhe Greqia që kërkojnë me urgjencë firmosjen e paktit dhe nga ana tjetër është LSI, me PD dhe Berishën, që kërkojnë që pakti të mos firmoset.
Por tashmë në mes kanë ndërhyrë ndërkombëtarët dhe tashmë Presidenti është mes dy zjarreve, pasi askush nuk i ka përballuar përplasjet me të huajt. Por nëse kreu i shteti refuzon sërish të firmosë marrëveshjen, atëherë vë në rrezik negociata me BE, pasi Hahn e ka bërë të ditur dje se nuk ka integrim për shtetet që kanë probleme fqinjësore dhe kufitare. Tashmë mbetet të shihet se çfarë do të bëjë Meta, do dëgjojë komisionerin Hahn, apo prapë do rreshtohet krah Berishës.
Rama-Hahn për kufirin detar
Çështja e kufirit detar është diskutuar dhe në takimin mes Ramës dhe komisionerit Hahn. Vetë shefi i qeverisë në konferencën që mbajti për mediat e tha se do ketë një pakt dinjitoz dhe nuk do ketë shitje territoresh. “Jemi në një proces negociatash që janë në një fazë shumë të avancuar me Greqinë. Sot jemi në fazën kur akuzohemi si tradhtarë edhe ne këtu, edhe ata atje.
Pra, të dy palët po tradhtojnë atdheun e tyre, që do të thotë se, në fakt, e vërteta është se të dy palët po bëjnë më të mirën dhe nëse të dy palët akuzohen se po dorëzojnë atdheun e tyre te pala tjetër, do të thotë që askush s’po dorëzon asgjë tek tjetri në të vërtetë. Por kjo është diçka që do të dalë qartë në përfundim të negociatave që janë një tjetër hap i rëndësishëm pjekurie në raport me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, tha Rama.
Ai u shpreh se pa zgjidhur mosmarrëveshjet me Greqinë nuk mund të ketë integrim në BE. Kjo gjë është bërë e ditur dhe nga komisioneri Hahn. “Pasi Bashkimi Europian, jo për ne, por për të gjitha vendet që janë në këtë proces e ka bërë shumë të qartë që konflikte midis vendeve për arsye kufijsh e për arsye delimitimesh detare nuk do të barten brenda Bashkimit Europian, por do të zgjidhen përpara se vendet të anëtarësohen në Bashkimin Europian.
Kjo besoj është një shtysë shumë pozitive, edhe pse ne, qoftë procesin e integrimit, qoftë procesin me Greqinë, nuk e bëjmë se na e kërkon Brukseli, por e bëjmë sepse janë pjesë e detyrave tona, për të garantuar një Shqipëri më të mirë për ata që vijnë pas nesh”, tha ai.