Mazhoranca qeverisëse dhe ndërkombëtarët janë duke menduar një sërë opsionesh për ngërçet e krijuara në sistemin e drejtësisë. Vetingu ka shkarkuar shumë gjyqtarë e prokurorë, ndërsa mjaft gjykata e prokurori kanë vakanca për shkak se KLD dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk bëjnë dot emërime. Por ditët e fundit janë dhënë sinjale se gjykata dhe prokuroritë shqiptare do boshatisen.
Më i prerë ishte kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj, i cili tha gjatë raportimit në Kuvend se janë rreth 400 emra që kanë probleme me pasurinë dhe mund të ngelin në veting. Kjo do të thotë se vendi mund të përballet me një vështirësi për të plotësuar vendet vakante. Por gazeta Sot ka mësuar se mazhoranca në bashkëpunim me ndërkombëtarët janë duke menduar një strategji. Ideja që po qarkullon është ajo e marrjes së juristëve nga jashtë vendit. Skenari i parë është të thirren shqiptarë nga diaspora.
Ka shumë gjyqtarët dhe prokurorë shqiptarë që kanë emigruar jashtë vendit. Po ashtu ka shumë të tjerë të arsimuar jashtë në fushën e jurisprudencës dhe nëse krijohet kaos në drejtësinë shqiptare, sidomos në organet e reja, do të nisë një fushatë sensibilizmi në ambasada dhe media ku do kërkohet që ata të japin kontributin e tyre në sistemin e drejtësisë. Skenari i dytë është i marrjes së gjyqtarëve të huaj. Edhe pse ligji nuk e lejon, nuk përjashtohet mundësia që të bëhen ndryshime ligjore, që të vijnë emra të caktuar, qoftë dhe me kontratë të përkohshme, që të shërbejnë për një periudhë tranzitore. Pra duket se do ndiqet skenari i EULEX në Kosovë, të cilët sollën gjyqtarë e prokurorë në Gjykatën Speciale.
Gazeta ka mësuar se KPK e ka ngritur si shqetësim te ndërkombëtarët se gjyqësori rrezikon të mbetet bosh, por përfaqësues të SHBA-BE kanë thënë se vetingu duhet të ecë me ritme të shpejta dhe të mos tolerojnë askënd. Madje sipas tyre, Gjykata e Lartë dhe ato të Apelit duhet të spastrohen deri në themel. Pasi të ndodhë kjo, pritet të nisin lobimet jashtë vendit për të sjellë gjyqtarë e prokurorë që do spastrojnë drejtësinë shqiptare.
Organet e reja
Përveç vakancave, vëmendja është dhe te organet e reja. Kur u përzgjodhën kandidatët për KLGJ e KLP nga radhët e juristëve e shoqëria civile, gara u hap disa herë sepse nuk gjendeshin emra për të plotësuar numrat. Frika e ndërkombëtarëve dhe e mazhorancës është se e njëjta situatë do ndodhë dhe me SPAK, e cila ka kushte akoma dhe më të rrepta.
Të gjithë emrat që do futen aty duhet që më parë të marrin autorizimin e familjarëve të tyre, të cilët pranojnë të jenë në survejim 24 orë. Po ashtu kandidatit dhe familjes së tij do i përgjohen bisedat telefonike apo në rrjete sociale. Gjithashtu do i mbikëqyren llogaritë bankare dhe do i nënshtrohen makinës së të vërtetës. Pra të gjitha këto kritere rrezikojnë të trembin të gjithë të interesuarit, pasi gjatë 9 viteve në detyrë ata nuk do kenë jetë private. Për këtë arsye, synohen kontribute jashtë vendit, të cilët janë më të studiuar dhe po ashtu nuk kanë lidhje politike në vend.
Kaosi në gjyqësor
Reforma në drejtësi ka krijuar një ngërç të thellë në drejtësi. Gjykata Kushtetuese është ajo e cila u shpartallua, pasi i vetmi me mandat të plotë që mbijetoi është kryetari Bashkim Dedja, gjithë të tjerët u shkarkuan, ndërkohë që Vitoret Tushës që kaloi vetingun, i ka mbaruar mandati. Kaos ka dhe në Gjykatën e Lartë. Kjo gjykatë ka pasur 19 anëtarë dhe tani ka mbetur me 7. Dje u shkakun nga detyra dy anëtarët Admir Thanza dhe Tom Ndreca.
Po ashtu pritet që të largohen dhe emra të tjerë. Duke zbritur te gjykatat e shkallës së parë, aktualisht në ushtrimin e detyrës së kryetarit të gjykatave janë 37 kryetarë gjykate të emëruar me vendim të KLD-së. Nga këta 5 janë të komanduar, ndërsa 11 të tjerëve u ka mbaruar mandati. Por ndërkombëtarët pritet që të marrin masa dhe të sjellin nga jashtë emra të njohur, duke rrëzuar të gjitha alibitë.