Ish-kryeministri Sali Berisha nuk tërhiqet nga presionet ndaj Lulzim Bashës për ta çuar vendin drejt mosbindjes civile. Grupi i deputetëve që janë rreshtuar krah ish-kryeministrit Berisha dhe që mbështesin idenë e tij për mosbindje civile, kanë vijuar dje me thirrjet se në shtator PD do të përmbysë qeverinë. Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, deputeti Flamur Noka, i cili njihet dhe si një nga deputetët që është rreshtuar krah qëndrimit të ish-kryeministrit Berisha, gjatë diskutimit të projektligjit “Për një ndryshim në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh se populli nuk mund të vazhdojë të qeveriset nga një qeveri e kriminalizuar. Sipas Nokës, PD ka nisur përgatitjet me qytetarët dhe në shtator do t’i japin goditjen përfundimtare qeverisë. Noka tha se vjeshta do të jetë beteja e opozitës për të gjunjëzuar qeverinë. “Zonja kryetare koha nuk është më e juaja. Nuk është koha juaj. Nuk mund te vazhdohet më me një qeveri si e kjo juaja që është kthyer ne regjim. Vjet bëmë disa deklarata se do jetë viti i fundit në qeveri dhe ta dini se një gjë e tillë është e vërtetë. Vjeshta do jetë beteja për të rrezuar qeverinë tuaj. Vitin e ri nuk do e prek Edi Rama. Vjeshta do jetë një dimër i madh për gjithë narkoqeverinë. Opozita e ka nisur aksion e saj me qytetarët dhe ta dini që do e gjunjëzojmë qeverinë. Vjeshta është dimri i acartë i juaji”, u shpreh deputeti Flamur Noka.
Klani “Berisha” në sulm ndaj ambasadorëve
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka akuzoi dje ambasadorët se u bënë palë me qeverinë në trafikun e drogës. Edhe pse sulmet e opozitës ndaj ndërkombëtarëve tashmë janë kthyer në rutinë, deputeti demokrat u shpreh se Shqipëria u kthye në aerodrom të drogës nga ana e qeverisë dhe se ambasadorët u bënë palë me këtë fakt. Noka i akuzoi ambasadorët se janë paguar nga qeveria për të heshtur. “Tashme është e qartë që edhe në ligjet që po sillen në Parlament, ky Parlament po tregon se e ka humbur sensin e qeverisë. Ky Parlament po fakton që është një noter i kryeministrit. Rasti i teatrit kombëtar është një turp i qeverisë dhe kryeministrit. Qeveria pasi ka vjedhur për pesë vjet rresht tashmë po i turret pronës publike si hienat. Që nga dita kur mister Babëzia erdhi në pushtet apo “zogu i Tiranës” vendi është shkatërruar. Antidroga e ka zbathur kryeministrin dhe qeverinë. Sëbashku me disa ambasador të korruptuar që u paguan, Shqipëria u shndërrua në aerodrom të drogës. Adriatiku u kthye në rrugë të transportit të drogës. Qeveria italiane ka nxjerrë një raport që e ka nxirë kryeministrin tuaj. E mbani mend kur tha që e fituam betejën me drogën. E mbani mend kur erdhi në parlament dhe tha 99% e zhdukem drogën. Por raporti i antidrogës thotë të kundërtën”, tha Noka.
Noka: Vetingu me dy standarde
Deputeti Flamur Noka u ndal dje edhe tek shkarkimi i gjyqtarëve Dizdari dhe Ndreca. Noka akuzoi organet e vetingu se po veprojnë me dy standarde dhe se janë të kapura politikisht. “Ky ligj është hartuar me propozimin e aleateve tanë europian. Problemi themelor në këtë vend është mungesa e zbatimit të ligjit. Vetingu psh. po funksionon me dy standarde. Gjyqtari Dizdari shkarkohet se ka lidhje me nipin që është i kriminalizuar. Gjyqtari Ndreca po ashtu largohet se i kunati është kapur me 0.4 g hashash. Ndërsa ministri që e ka vëllai të përfshirë në transportin e tonelatave drogë nuk largohet”, u shpreh Flamur Noka./Endri ARIZI