Presidenti francez, Emmanuel Macron, kërkon që çështja e Kosovës të zgjidhet para anëtarësimit të Serbisë në BE. Macron të martën i tha presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, gjatë takimit që dyshja e zhvilloi në Paris, se Serbia “nuk do të hyjë automatikisht” në Bashkimin Evropian më 2025, datë kjo e përmendur më parë si e mundshme për anëtarësim, pasi fillimisht duhet përmbushur disa parakushte.
“Nuk mendoj se duhet parë këtë datë si një kriter automatik”, tha Macron gjatë konferencës së përbashkët për media me presidentin serb Vuçiç në Pallatin Elysee, raporton “LaLibre”.
“Nëse nuk bëhet asgjë në raport me ato që është dakorduar në agjendën e negociatave deri më 2025, Serbia nuk ka shanse për anëtarësim në BE”, tha presidenti francez.
“Nuk kemi të bëjmë këtu me plotësim të hapësirave me ‘ticka’ me një datë e të themi ‘më 2025 do të hyjmë’”, shtoi Macron.
Nëntorin e vitit që lamë pas, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, përmendi se anëtarësimi i Serbisë dhe i Malit të Zi mund të ndodhë më 2025.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, pas takimit me homologun e tij francez, tha se Serbia nuk do të ketë perspektivë evropianë nëse problemi i Kosovës mbetet i ngrirë, raporton “N1”.
“Nëse konflikti i Kosovës mbetet i ngrirë, të jini të sigurt se nuk do të ketë perspektivë evropiane, të jini të sigurt se investimet do të bien”, tha Vuçiç para reporterëve serbë në Paris pas takimit me presidentin francez Emmanuel Macron.
Ai tha se Serbia do ta ketë përkrahjen e Macronit në gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për Kosovën, duke shtuar se shpreson që ta ketë të njëjtën edhe nga Kancelarja gjermane Angela Merkel. “Në atë rast, ka pak shpresë”, tha ai.