Bëre një Selfie. Domethënë një budallallëk. Por s’ka problem. Nuk je vetëm. Njerëz që bëjnë selfie bota ka me miliona. Selfia e banjës nuk është e vetmja. Ka plot selfie të tjera.
Edison Ypi
S’po ta varin. Të kanë lënë pas dore. S’po ta vlerësojnë ndjeshmërinë, forcën e karakterit, zjerjen e gjakut, energjinë, sidomos bukurinë. Për të vënë urgjentisht në vend padrejtësi kaq të mëdha të pamerituara që i vuan kot pa asnjë shkak, koha më e përshtatëshme është muzgu.
Për të mos u bezdisur nga prezenca e ziliqarëve të shumtë që kujtojnë se të gjitha të mirat e kësaj bote u përkasin atyre ndërsa ty vetëm Noc Rroku, zgjidh një vend intim. Për shembull banjën. Me veglat e banjës, vaskën, zorrën, sapunin, rubinetin, briskun, peshqirin, shkumën, mund të bësh kompozime që ta çudisësh botën. Përcakto pozicionin që të duken sa më provokuese sisët dhe shalët, dhe pjesët më shprehëse të fytyrës prej nga të shpërthen zgjuarsia dhe të gjitha cilësitë e tjera të jashtëzakonëshme që i ke por ziliqarët bëjnë sikur nuk i shohin. Merr celularin, zgjate dorën, shkrepe.
Bëre një Selfie. Domethënë një budallallëk. Por s’ka problem. Nuk je vetëm. Njerëz që bëjnë selfie bota ka me miliona. Mund të ndodhi që selfia që sapo bëre nuk të pëlqeu. E çfarë se nuk doli mirë Selfia. Vaska, zorra, bideja, dushi, brisku, sapuni, aty janë. Bëj një tjetër selfie. Nëse edhe tjetra selfia nuk do të pëlqejë, bëj edhe nja 20 ose 30 selfie të tjera. Ndonjë budalla ose budallaqe mund të mos i pëlqejë selfiet e tua. As për këtë mos u merakos. Ndërkohë që ti bën selfiet e tua, me mijëra të tjerë po bëjnë selfiet e veta, më për ibret se selfiet e tua. Mos humb kohë. Nisi urgjent selfiet pa dalë nga banja.
Selfia e banjës nuk është e vetmja. Ka plot selfie të tjera. Për shembull, selfia që bën një budalla kur çfaqet i menduar me dorën në mjekërr sikur ka mbi supe gjithë hallet e botës. Kjo Selfie nuk quhet Selfie, quhet Selfqirje, që rrjedh nga fjala greke “qirje” që do të thotë “zotni”. Selfia para pasqyrës quhet Selfpjerdhje.
Një tjetër Selfie goxha e përhapur është ajo kur një tufë budallenjsh bëjnë fotografi me të ngrëna përpara; verë, birra, bërxolla, pica dhe plot të tjera. Selfie më shtazarake se kjo përmes së cilës hajvanët e pangopur dëshmojnë urinë e etërve, nuk ka. Selfia me të ngrëna përpara quhet Sumtyryxhym./
Titulli orgjinal “Selfie”