Një ngjarje që e hasim rrallë ka ndodhur në kryeqytetin e Kosovës një ditë më parë. Dy të rinj që sapo u kthyen në Kosovë kanë humbur çantën e krahut, ku kishin të gjitha dokumentet si dhe mijëra dollarë. Por fati i ka ndihmuar Gzim dhe Fiona Gjonbalaj, pasi çanta është gjetur nga një njeri i mirë që ia ka dorëzuar pronarit.
Vetë babai i dy të rinjve, Esad Gjonbalaj e tregon ngjarjen.
“Dje pas arritjes në Prishtinë në aeroportin “Adem Jashari”, dhe pas kryerjes së kontrollit të pasaportave Gzimi sëbashku me motrën Fionën patën paksa një arritje jo edhe aq të këndshme.
Të ngazëllyer në emocionet e ribashkimit me familjaret që i prisnin për t’i takuar, ata e kanë kuptuar mungesën e çantës personale të krahur kur kanë arritur në shtëpi. Aty kishin dy pasaportat amerikane me të gjitha paratë, disa mijëra dollarë dhe të gjithë dokumentet personale, kartat e kreditit etj”, tregon Esad Gjonbalaj.
Ai thotë më tej se kanë nisur kërkimet por për shkak të orëve të vona, nuk patën sukses.
“Arritja në Prishtinë ishte në orën 23:10 minuta, por nata u zgjat shumë në kërkime dhe raportime në organet policore. Vetëm pas disa orëve na telefonon njeriu zemërbardhë Ismet Kqiku që na njofton se ai ka çantën komplet të pa prekur ashtu se si e ka gjetur, me pasaporta, para dhe të gjitha se çka kishte në çantën e vogël të krahut”, thotë ai.
Esadi nuk i kursen fjalët e mira për njeriun që i ktheu çantën. “Veprimi burrëror dhe fisnik i Ismet Kqikut nga fshati Dardani i komunës së Ferizajit dëshmon më së miri për vlerat e rralla dhe të larta të këtij fisniku të denjë, por edhe të familjes dhe truallit që i përket ky njeri zemërbardhë dhe me vlera të rralla njerëzore”, shprehet ai./BW