Duket e pabesueshme por ai që ka mbajtur fjalimin para skuadrës kombëtare franceze në prag të ndeshjes me Kroacinë të dielën më 15 korrik në “Luzhniki” të Moskës, nuk ka qenë kapiteni i skuadrës, portieri Hugo Lloris, por mesfushori i spikatur i grupit, Pol Pogba, i cili ka mbajtur një fjalim mbresëlënës para shokëve të tij, duke imituar heroin francez Napolon Bonapartin. Pogba u ka bërë thirrje shokëve të tij të skuadrës franceze që të shkruanin historinë e të bënin krenarë brezat në vijim.
“Nuk dua të flas shumë, e dimë të gjithë se ku jemi, e dimë të gjithë se çfarë kërkojmë, e njohim rrugën që kemi kaluar. Mund ta shoh në zemrat tuaja, në sytë tuaj, jemi të përqendruar. Djem, mos e harroni, jemi 90 minuta larg një historie të pabesueshme, një ndeshje, nuk e di se sa kemi luajtur në karrierat tona, në jetën tonë, por këtu do të ndryshojë gjithçka, këtu ndryshon historia.
Janë dy skuadra dhe një kupë, është e njëjta për ta, e duan. Ne e kemi humbur një finale, e dimë, e kemi ende këtu. Sot duhet të shohim njëri-tjetrin dhe të mos të lejojmë asnjë skuadër tjetër që të marrë atë që na përket. Sot duhet të fitojmë një vend në kujtimet e francezëve, të fëmijëve të tyre, të nipërve të tyre.
Sot, vetëm 90 minuta na ndajnë nga historia, ndaj tani ju shoh, nuk dua të ulërij. Të dalim në fushë si luftëtarë. Dhe më pas dua t’ju shoh në lot, lot gëzimi, jo lot trishtimi. Lot gëzimi në fushë dhe të gjithë që puthemi e përqafohemi. Dakord?”, ishte motivimi emocionues i Pogba para finales. Ajo që ndodhi më pas, i përket historise. Pol Pogba e realizoi misionin e tij inspirues e inkurajues, por edhe në fushën e lojës pasi ishte nga më të mirët për “Gjelat” e Francës.