Festivali ndërkombëtar i filmit të shkurtër “First Step Film Festival”, që çdo vit është zhvilluar në Tiranë, me ndryshimet e tij po zhvillohet në qytetin e Korçës. Çdo ditë në Teatrin e Korçës dhe në Pazarin i Vjetër, për publikun do të shfaqen filma të huaj, por dhe prodhime të autorëve shqiptarë. Ky vit sjell për publikun 40 filma dhe në natën e parë u shfaq dhe dokumentari kushtuar jetës së fotografit të njohur, Gjon Mili. Festivali këtë vit vjen me emër tjetër “Korça Short Film Fest”, dhe drejtori artistik i festivalit kineasti Gledis Bica tregon se nuk do jetë edicioni i parë, por vazhdimi i festivalit “ First Step Film Festival”, që ka nisur në vitin 2010. “Thjesht menduam të zhvendosim festivalin në një tjetër qytet, dhe kësisoj dhe imazhin dhe formatin duke e kthyer në një festival ndërkombëtar të filmit të shkurtër. Vitin e ardhshëm festojmë 10 vjetorin e themelimit të festivalit FSFF, i cili nga këtë vit e tutje do të mbajë emrin “Korça Short Film Fest”, tregon drejtori Bica për festivalin, që nisi më datë 17 dhe do të vijojë deri më 21 korrik në qytetin e Korçës. Duke folur për festivalin drejtori Gledis Bica tregon se ishin të shumta arsyet pse u zgjodh Korça për ti “marrë” festivalin Tiranës. “Vitet e fundit ka pasur një transformim rrënjësor, duke filluar me Pazarin e Vjetër, teatrin “A.Z. Çajupi”, pedonalen, si dhe shumë ndërhyrje të tjetra, gjë që e bëjnë një qytet më të kompletuar se vetë Tirana. Përveç të tjerash, Korça ka një publik mjaft artdashës, dhe duke qenë qyteti i kinemasë më të vjetër që është ndërtuar në Shqipëri, dhe që mban ende të njëjtin funksion, “Kinema Majestic”, menduam se nuk ka qytet tjetër më të përshtatshëm për ta zhvilluar këtë aktivitet”, pohon kineasti Gledis Bica drejtor i festivalit. Sipas tij me ndërrimin e qytetit, u mendua dhe ndryshimi i emrit dhe formatit të festivalit. ““Korça Short Film Festival”, është festivali ndërkombëtar i filmit të shkurtër, i cili do të zhvillohet çdo vit gjatë muajit korrik. Kemi një plan afatgjatë, për ta kthyer Korçën, në qytetin e filmit dhe kulturës, ku ky aktivitet, në të ardhmen të jetë jo vetëm në funksion të filmbërësve, por në funksion të gjithë ekonomisë së qytetit dhe rrethinave të saj. Për të arritur këtë gjë na duhet shumë punë dhe mbështetje. Gjërat e tjera më pas bëhesh shumë të lehta”, vijon Bica.
Selektimi nga 700 aplikime
Një festival që ka dhe garën e filmit, por 700 ka qenë numri aplikimeve për të zgjedhur 40 filma shqiptarë dhe të huaj. Drejtori artistik Gledis Bica tregon se faza e aplikimeve zgjat 4 muaj. “Përzgjedhja e filmave bëhet si nga platforma kryesore nga ku ne marrim aplikimet më të shumta, ashtu dhe nga selektime direkte, që bëhen, gjatë vizitave në festivale të ndryshme. Këtë vit kemi zgjedhur në konkurrim 40 filma nga 700 që kanë aplikuar. 21 filma garojnë në garën e filmit studentor dhe 19 në garën e filmave ndërkombëtar. Ndërkohë të gjithë filmat shqiptarë dhe shqipfolës do të garojnë dhe në garën kombëtare”, tregon më tej Bica. Sipas tij Bashkia Korçë , TIT Korça, teatri “A.Z. Çajupi” dhe institucioneve të tjera publike e private, e kanë lehtësuar punën me festivalin. “Shpresojmë që ky bashkëpunim të jetë afatgjatë, në mënyrë që ky festival, të bëhet një nga aktivitete kryesore të qytetit, ku të gjithë të presin me padurim ardhjen e edicionit të rradhës”, shton drejtori artistik Gledis Bica. Sipas kategorive të filmave dhe fushave të studimeve si Filmi artistik më i mirë; Filmi Dokumentar më i mirë; Filmi më i mirë i Animuar; Regjia më e mirë; Skenari më i mirë etj./ Julia VRAPI