Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj Spitalit Amerikan. Spitali privat në fjalë është gjetur në shkelje sa i takon përfitimit të hapësirave në objektet publike. Gazeta ka mësuar se prokuroria e kryeqytetit ka nisur hetimet pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit më 28 qershor 2018.
Në padinë e siguruar nga gazeta nga burimet pranë prokurorisë, shihet se ka pasur abuzime në kontratat e Spitalit të Traumës, që njihet ndryshe dhe si Spitali Ushtarak me Spitalin Amerikan. Nga një audit që KLSH ka bërë në Spitalin e Traumës, ka rezultuar se subjekti “Spitali Amerikan” ka okupuar ambientet brenda SUT në një sipërfaqe prej 1200 m2.
Sipas padisë, Spitali Amerikan në kuadër të mosrespektimit të kontratës, i detyrohet 10.800.000 lekë Spitalit të Traumës. “Subjekti “American Hospital” sh.a. ka okupuar ambientet sipërfaqe nën objekt, brenda godinës së SUT në një sipërfaqe totale 1200 m2.
Ky subjekt për periudhën objekt auditimi (01.10.2015. deri 31.03.2018 gjithsej 30 muaj) i detyrohet SUT qira e papaguar për sipërfaqen e përdorur, okupuar prej 1200 m2 (1696 m2 – 496 m2 = 1200 m2) referuar kontratës së datës 28.08.2013 e cila rezulton si më poshtë. Periudha 01.10.2015 deri 31.03.2018 gjithsej 30 muaj. Sipërfaqja e okupuar, përdorur 1200 m2 x 300 lekë/m2 në muaj = 10,800,000 lekë”, thuhet në padi.
Spitali Amerikan zapton truallin e SUT
Sakaq, në padi specifikohet se Spitali Amerikan përdor edhe një sipërfaqe prej 222.3 m2, të cilën e ka ndërtuar mbi ambientet ekzistuese të Spitalit të Traumës. Sipas padisë, spitali privat nuk ka një dokumentacion si puna e kontratës apo lejes ndërtimore në lidhje me këtë ndërtim që ka bërë. Madje, spitali privat në fjalë përdor edhe një sipërfaqe prej 45 m2 ku dhe për këtë nuk ka dokumente.
“Ky objekt përdor dhe një sipërfaqe prej 222.3 m2, të cilën e ka ndërtuar mbi ambientet ekzistuese të spitalit, për të cilin institucioni nuk ka dokumentacion, si leja e ndërtimore apo kontratë, po kështu ka ndërtuar dhe një urë lidhëse ndërmjet godinës së tij dhe spitalit, me sipërfaqe 45 m2, ku dhe për këtë nuk ka dokumente në SUT.
Konstatimi ynë bazohet në kartelën e pasurisë bashkëlidhur Certifikatës së pasurisë së datës 07.04.2015, ku përshkruhen 3 objekte pa leje apo “ndërtime të paligjshme”. Nëse do të përllogarisim dhe përdorimin e sipërfaqes së ndërtuar nga vetë “American Hospital” sha për periudhën 01.10.2015 deri 31.03.2018 gjithsej 30 muaj për sipërfaqen e përdorur 267.3 m2 x 300 lekë/m2 në muaj = 80.190 lekë x 30 muaj = 2,405,700 lekë të ardhura të munguara për periudhën objekt auditimi”, thuhet aty.
KLSH i kërkon SUT marrjen e masave ligjore
Në audit, KLSH ka i ka kërkuar Spitalit të Traumës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që të ndjekin të gjitha procedurat ligjore në të gjitha shkallët e gjykimit kundrejt Spitalit Amerikan. “Nga SUT, të kontabilizohet dhe bashkë më Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të kërkohet në rrugë ligjore, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe procedurat e tjera në të gjitha shkallët e gjykimit, shpërblim i dëmit ekonomik nga subjekti “American Hospital” sh.a në vlerën 10,800,000 lekë pasi ka okupuar ambientet sipërfaqe në objekt, brenda godinës së SUT në nj sipërfaqe prej 1200 m2, sipërfaqe tepër referuar kontratës së qirasë së datës 28.08.2013, të lidhur me ish Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Menjëherë”, thuhet në raport./ Endri ARIZI