Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç.
Dekorimi i kreut të shtetit është bërë “”Për kontributin e çmuar në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë; për forcimin e mëtejshëm të miqësisë shumëshekullore midis popullit shqiptar dhe atij kroat; si dhe për mbështetjen e pakursyer në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
Në një postim në Facebook, kreu i shtetit shkruan se Shqipëria është me fat që ka një vend mik si Kroacia dhe rrugën dhe proceset e saj integruese.
Postimi i Presidentit Ilir Meta
I gëzuar që dekorova Presidenten e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitaroviç me Medaljen më të lartë të Shqipërisë “Flamuri Kombëtar”. Mirënjohje për mbështetjen e saj dhe të Kroacisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Me fat që kemi miq të tillë të mirë.