Me lajmin e mirë që u dha sot se Kosova ka plotësuar dy kushtet bazë të vendosura nga Komisioni Europian për sa i përket liberalizimit të vizave, shënohet edhe një arritje tjetër e madhe për këtë të fundit, ku duket se rrugëtimi i tyre drejt ëndrrës Europiane sa vjen e bëhet edhe më i afërt.
Kur na vjen ne mendje rrugëtimi që Kosova ka bërë, e kur e krahasojmë këtë të fundit me rrugëtimin Shqiptar, duket sikur Kosova qendron disa hapa më përpara nesh. E kjo lidhet pikërisht me faktin se Kosova ka nisur rrugëtimin e saj si shtet duke u bazuar në një sistem politik demokratik, në ndryshim me Shqipërinë e cila ka pasur luhatje te ndryshme politike ku sistemi qeverisës është ndryshuar dhe alternuar disa herë me rradhë.
Fakti që Kosova fitoi pavarësinë në vitin 2008 dhe mori dritën jeshile nga Komisioni Europian 10 vite pas shpalljes së kësaj të fundit, flet shumë edhe për të ardhmen e këtij shteti. Sipas mendimit tim, fakti që Kosova nuk njihet nga një pjesë e konsiderueshme shtetesh, është një faktor i lartë kontribues në të ardhmen e saj.
Nëse i referohemi ekonomisë Shqiptare me ekonominë Kosovare, vërehet që pagat mesatare janë pothuajse në të njëjtin nivel. Më saktësisht, 570 Euro për Kosovën dhe 60,000 lekë për Shqipërinë (të dhënat e muajit Korrik, 2018). Trendi i pagave mesatare vjen gjithmonë në rritje në krahasim me vitet e kaluara, ku vërejme një rritje prej 13.21% të pagave mesatare të Shqipërisë, dhe një rritje prej 9.09% të pagave mesatare të Kosovës, gjatë 4 viteve të fundit (burimi tradingeconomics.com, INSTAT).
Ndonëse Shqipëria është një shtet i konsoliduar, (në aspektin e njohjes nga shtetet e tjera) Kosova akoma është duke luftuar për njohjen e mëtejshme të saj, dhe rrugëtimi i saj drejt Bashkimit Europian do të jetë një sfidë e vështirë për veç faktin se ajo nuk ka aleatët e nevojshëm për ta lejuar atë të bëjë këtë gjë.
Përpjekjet e qeverive të të dyja shteteve vlejnë për t’u përmendur, pasi nga të dyja anët po punohet për antarësimin e mëtejshëm të vendeve në Bashkimin Europian. Besoj se me përkushtim dhe me dëshirën e madhe për antarësim, në të ardhmen e afërt do t’i shohim të dyja shtetet Shqiptare të konsoliduara dhe të bashkuara me pjesën tjetër të Europës dhe nuk e kam fjalën si lokacion, por si bashkësi!
Përgatiti për Ekskluzive.al Gevio Tabaku