Policia Kufitare e Rinasit vijon shpërndarjen e fletëpalosjeve të prodhuara enkas për turistët e huaj si dhe për pushuesit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe vijnë për pushime në Shqipëri.
Mijëra fletëpalosje që prej fillimit të muajit Qershor e në vijim janë shpërndarë e po vijojnë të shpërndahen nga efektivat e Policisë Kufitare në Rinas për të gjithë shtetasit e huaj si dhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit por që vijnë për pushime në Shqipëri, fletëpalosje në gjuhën angleze dhe italiane për shtetasit e huaj me gjithë informacionin e detajuar dhe të nevojshëm në rast se ata ndeshen me një problem apo kërkojnë ndihmë.
Drejtoresha e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë e pranishme në Rinas, ka theksuar se këtë sezon ka një fluks shumë më të shtuar se vitin e kaluar, ku numri ditor arrin deri në 13 mijë shtetas, dhe për këtë Policia Kufitare ka marrë një sërë masash.
“Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë prodhuar dhe tashmë po shpërndahen disa fletëpalosje, për të gjithë pushuesit si shqiptarë edhe të huaj, që vijnë në Republikën e Shqipërisë.
Këto fletëpalosje, pasqyrojnë disa nga kriteret dhe elementët thelbësorë të informacionit që duhet të kenë pushuesit apo qytetarët që vizitojnë Shqipërinë, si në aspektin e qarkullimit rrugor, ashtu edhe në aspektin e informacionit se ku duhet të drejtohen shtetasit shqiptarë apo të huaj, dhe në cilat numra telefoni duhet të kenë parasysh, me qëllim që të arrijnë sa më shpejt shërbimin e Policisë së Shtetit.
Këto fletëpalosje janë prodhuar në gjuhë të huaja, në gjuhën angleze dhe gjuhën italiane, me qëllim që të vijmë sa më afër informacionit për shtetasit e huaj, por edhe në gjuhën shqipe, pasi ky informacion është i nevojshëm edhe për shtetasit shqiptarë të cilët jetojnë jashtë shtetit, por që vijnë për pushime për një periudhë më të shkurtër kohe në Shqipëri.
Situata në këtë vit paraqitet e shtuar, lëvizjet në hyrjet e kufirit shqiptar janë shtuar, në raport me vitin e kaluar kemi një numër rreth 200 mijë pasagjerë që janë përpunuar në Aeroportin e Rinasit, më shumë sesa në vitin e kaluar, dhe sigurisht fluksi i turistëve, po ashtu paraqitet i shtuar.
Tashmë janë dyfishuar linjat e charterave që udhëtojnë dhe vijnë në Shqipëri, duke sjellë po ashtu edhe një numër të shtuar të turistëve.
Në një ditë, numri i pasagjerëve që përpunohen në Pikën e Kalimit Kufitar në Rinas, është rreth 13 mijë pasagjerë, që është një numër shumë i shtuar. Ne kemi një pritshmëri që numri në total i pasagjerëve të përpunuar në aeroport do të jetë rreth mbi 3 milion pasagjerë në vit.
Për t’ju përgjigjur kësaj situate, Policia Kufitare dhe Migracionit, ka marrë disa masa, kemi shtuar personelin e punonjësve që bëjnë kontrollin dhe regjistrimin e hyrjeve – daljeve e kalimit kufitar, njëkohësisht është përmirësuar me mbështetjen e teknologjisë – informacionit, sistemi me të cilin përpunohen dhe regjistrohen këta pasagjerë, janë përmirësuar edhe pajisjet, kompjuterët, në një farë, mënyre është marrë çdo masë e mundur, që ne të kemi një përpunim në kohë, me cilësi të gjithë qytetarëve dhe pasagjerëve që hyjnë apo dalin nga territori i Shqipërisë.
Një nga masat e tjera është rritja e bashkëpunimit me institucionet e tjera ligjzbatuese, në Aeroportin e Rinasit, veçanërisht në bashkëpunim me Doganën, me qëllim për kryerjen e operacioneve të përbashkëta, për të parandaluar paligjshmërinë në çfarëdo lloj forme”
Enkeleda Toska-Drejtoresha e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë
Prej muajit Qershor dhe deri sot kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë nëpërmjet aeroportit të Rinasit rreth 256 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj (144 350 shtetas të huaj dhe pjesa tjetër shqiptarë).
Janë kapur 12 persona në kërkim si dhe janë proceduar 60 shtetas të tjerë për falsifikim të dokumenteve.
Policia Kufitare e Rinasit është e angazhuar maksimalisht për t’ju ofruar një shërbim sa më cilësorë qytetarëve si dhe për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë .