Prokurorja Rovena Gashi do të përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në kushtet e pezullimit nga detyra dhe nën akuzë për fshehje pasurie. Si ka ndryshuar pasuria e saj dhe “flamujt e kuq” të identifikuar.
Rovena Gashi, prokurorja e pezulluar nga detyra për shkak se është nën hetim për fshehje pasurie do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupi gjykues që do të shqyrtojë procesin e rivlerësimit për prokuroren Gashi drejtohet nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Lulzim Hamitaj.
Rovena Gashi e ka filluar karrierën në Prokurori në vitin 2004. Ajo ka punuar si prokurore në Tiranë nga viti 2004 deri në vitin 2013, kur u emërua në krye të Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme.
Gashi e mbajti këtë detyrë deri në fund të dhjetorit 2017, kur kryeprokurorja e re Arta Marku e uli në detyrë. Ndërsa në maj 2018, Prokuroria regjistroi procedimin penal ndaj saj dhe bashkëshortit Dritan Gina, të cilët po hetohen për pasurinë e tyre, ndërkohë që Marku i pezulloi të dy nga detyra.
Çifti i prokurorëve Gashi-Gina iu drejtuan Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të kontestuar vendimin e pezullimit të tyre nga kryeprokurorja e përkohshme, Marku, por kjo kërkesë nuk u rrëzua nga Kolegji.
Gashi u bë pjesë e listës prioritare të vetingut përpara telasheve me pasurinë, për shkak të kandidimit të saj për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe për Gjykatën e Lartë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Rovena Gashi nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017.