Partia Socialiste ndryshon mendje për të tretën herë për lejimin ose jo për të ushtruar profesionin e avokati të gjyqtarëve e prokurorëve që digjen nga vetingu. Gatishmëria për t’i penguar të shkarkuarit u shpreh në 2 maj kur u prezantua ligji për avokatinë, por në 3 korrik, Komisioni i Ligjeve, me të gjitha votat, përjashtuar atë të Bashkim Finos, nuk e përfshiu nenin që bllokon gjyqtarët e prokurorët që ngelin në klasën e vetingut, për t’u bërë avokatë.
Por presioni amerikan dhe ai europian ka vepruar mbi mazhorancën, duke e detyruar të bëjë një amendament në seancën plenare që nuk lejon të skualifikuarit e vetingut të hyjnë në sallën e gjyqit si avokatë.
Gazeta ka siguruar një amendament të firmosur nga kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialist, Taulant Balla, por edhe nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manjën ku thuhet se ky është qëndrimi i tretë zyrtar i ndryshëm për të çështjen e profesionit të avokatit.
Sipas amendamentit Balla-Manja që pritet të hidhet në votim të hënën, nuk duhet të lejohet që të skualifikuarit nga procesi i vetingut të bëhen avokatë. Sakaq, është mësuar se sipas informacioneve, mazhoranca ende mendon që kjo nismë është antikushtetuese sepse cenon një profesion të lirë.
Por pavarësisht se deputet të mazhorancës mendojnë se kjo nismë është antikushtetuese, gazeta ka mësuar se amendamenti Balla-Manja ka ardhur se një hap i tillë është ndërmarrë vetëm pas këmbënguljes së palëkundur të ekspertëve amerikanë dhe atyre europian që po asistojnë komisionin e ligjeve në përgatitjen e akteve të tjera të zbatimit të reformës në drejtësi.
Kujtojmë këtu se ekspertët e Euralius në lidhje me këtë çështje u përplasën me deputetët socialistë në komisionin e ligjeve. Kjo për faktin se ekspertët ndërkombëtarë u shprehën kundër nismës së disa deputetëve për tu dhënë mundësi prokurorëve dhe gjyqtarëve të ngelur në veting që të ushtrojnë profesionin e avokatit. Kundër kësaj nisme ishte dhe deputeti i PS, Bashkim Fino, i cili e quajti si të paprecedentë këtë nismë./sot