Mazhoranca qeverisëse ka vendosur të vërë nën kontroll ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, sa i takon vetingut në polici. Pak muaj më parë hyri në fuqi ligji dhe tashmë kanë nisur procedurat për të kaluar në sitë të gjithë policët në vend. Por nuk do të jetë Ministria e Brendshme ajo që do të mbikëqyrë procesin, por do të jetë Parlamenti. Dje në seancën plenare mazhoranca votoi ngritjen e një komisioni me 7 anëtarë. Nga këta 4 i ka PS, 2 PD dhe 1 LSI.
Ky komision do ndjekë nga afër të gjithë procesin, në mënyrë që të mos ketë abuzime dhe ai të bëhet në bazë të ligjit. Deri më tani ishte krijuar ideja sikur ishte ministri i Brendshëm ai që ka në dorë procesin e rivlerësimit të efektivëve, por nuk do jetë kështu, pasi komisioni në fjalë do ketë rolin e menaxherit dhe mbikëqyrësit.
Ngritja e komisionit është bërë përmes një kërkese të bërë nga kryetarja e Komisionit të Sigurisë Ermonela Felaj. Marrëdhëniet e mes Xhafajt dhe deputetëve të mazhorancës nuk janë më ato të dikurshmet. Pasi shpërtheu skandali i vëllait të tij, situata ndryshoi.
Edhe pse kryeministri Rama nuk e shkarkoi, marrëdhëniet mes Xhafajt dhe deputetëve të mazhorancës nuk janë më ato të dikurshmet. Pasi shpërtheu skandali i vëllait të tij, situata ndryshoi. Edhe pse kryeministri Rama nuk e shkarkoi, brenda PS thonë se situata ka ndryshuar.
Procedura e vlerësimit të pasurisë
Në ligjin për vetingun në polici, theksohet se një rëndësi të madhe do ketë vlerësimi i pasurisë. Sipas nenit 31, fillimisht trupa e vlerësimit, bazuar në deklarimet e pasurive, zhvillon një procedurë kontrolli, në përputhje me këtë ligj, ligjin për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të personave të zgjedhur dhe nëpunësve të caktuar publikë, ligjin për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike dhe me Kodin e Procedurave Administrative.
Më tej theksohet se verifikimet për punonjësin kryhen në të gjitha institucionet apo personat juridikë, publikë apo privatë, të cilët detyrohen të japin të dhëna në lidhje me deklarimet apo mosdeklarimet e këtyre punonjësve. Sipas ligjit, ILDKPKI-ja vë në dispozicion të gjitha informacionet që disponon si rezultat i deklarimit të punonjësve, të cilët kanë pasur detyrimin për deklarimin e pasurive sipas ligjit përkatës.
Përjashtimet nga detyra
Të gjithë punonjësit që nuk do të arrijnë të kalojnë procesin e vetingut sipas ligjit të vetingut do të përjashtohen nga detyra. Kështu do të përjashtohen të gjithë ata punonjës që bëjnë deklarata të rreme, kur nuk justifikojnë pasurinë apo e fshehin atë si dhe në rast se ka lidhje me persona të inkriminuar.
“Trupa e vlerësimit vendos përjashtimin nga detyra të punonjësit kur: punonjësi nuk dorëzon deklaratat sipas objekteve të vlerësimit kalimtar dhe afateve të përcaktuara në këtë ligj; deklaratat përmbajnë të dhëna të rreme; rezulton se, gjatë vlerësimit të pasurisë, ka fshehur pasuri, përfshirë edhe personat e lidhur me të; pasuria e deklaruar nuk mund të justifikohet nga burime të ligjshme të ardhurash; rezulton me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, që bën të pamundur vazhdimin e detyrës; rezulton si i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale”, thuhet në nenin 62 të ligjit të vetingut./Kliti TOPALLI