Nga Fatos ÇOÇOLI
“Më mbani mend për një njeri që donte të ishte i lirë”. Këto janë fjalë të thëna pak ditë më pare nga shtetasi i huaj më popullor në historinë e Shqipërisë, ambasadori amerikan Donald Lu, në përfundim të mandatit të tij në korrik 2018. Fjalë të pakta, të thella, të thjeshta dhe të prera, sikurse di të flasë vetëm ai. Ndoshta fjalët e tij të fundit adresuar shqiptarëve.
Ndoshta një lloj amaneti i Lu-së: “Përpiquni të jeni të lirë!”. Lu është një institucion tek ne. Institucioni i luftës pa kompromis ndaj politikanëve, prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar. Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, aleatit më të madh të vendit tonë, përfaqësuesi i këtij shteti foli për 3 vjet aq shkoqur, guximshëm, pastër. Lidhi zullumet e të korruptuarve tanë me cënimin e interesave strategjike të SHBA-ve në rajon. Dhe papritmas zullumqarët e ndjenë veten zbuluar. “Mbretërit lakuriq” të politikës shqiptare e panë veten më në fund ashtu si i kishte bërë nëna. Frikësoi të pafrikësueshmit, u kujtoi hekurat e burgut të paprekshmëve.
Në sedrën tonë të mpirë nga mosveprimi qytetar, Lu erdhi si një shpresë, si një shfryrje e madhe cunam ndaj pafuqisë së njeriut të thjeshtë shqiptar për të tërhequr fort deri ne çjerrje brekushet e pamoralshme të politikës sonë të ditës. Lu politikanëve të lartë të papërgjegjshëm të këtij vendi arriti t’u kallë datën, si askush më parë. Këta e panë si një lloj robespjeri, pse ia doli t’i prekë aty ku u dhemb më shumë, në interesat e tyre private.
T’i zbresë në tokë ata që ë mendonin veten përjetësisht të patundshëm në olimp dhe të ndëshkueshëm shkarazi moralisht vetëm nga vota e qytetarëve një herë në katër vjet. Lu u futi në nën-ndërgjegje, ndoshta edhe në gjumë, makthet dhe fantazmat e dënimit të merituar ligjor, krahas linçimit popullor, për faje që qytetarët ua faturojnë gjithë ditën nëpër kafene dhe restorante. Faje që, për fat të keq, nuk kanë marrë kurrë forcën e denoncimit, përkundrazi, kanë fituar atë të një aureole mbrojtëse (“Hë mo, se këta kështu llapin gjithë ditën!”), nga mungesa e punës hetuese, zbuluese dhe faktuese të strukturave përgjegjëse shtetërore të këtij vendi.
Mos u mërzit Lu, që nuk arrite të zgjosh ndërgjegjen tonë të mpirë civile. Ajo ka dekada të tëra, që rri kështu, sy-zgurdulluar nga mosveprimi dhe hashashi mediatik. Edhe pse nuk zgjove përbindëshin e mirë të protestës qytetare tek ne, ti i dhe këtij vendi shumë. Përdore Levën e Arkimedit të autoritetit të Departamentit Amerikan të Shtetit (Ministrisë së Jashtme të SHBA-ve), për të kumtuar vendime ndaj politikanëve tanë të korruptuar, si një lloj gjykate përtej oqeanit.
I çove ti, me autoritetin tënd, me tundjen e kopaçes së dëmtimit të drejtpërdrejtë të interesave të politikës amerikane në rajon, të gjithë deputetët e papërgjegjshëm të vendit të votonin kokulur reformën në drejtësi. Nuk ka gjë se kjo reformë, e penguar dhe e vonuar kaq shumë rrugës, ngjan sikur ka shteruar fuqinë e saj goditëse, duke lëkundur shpresën e qytetarëve sot. Ti i the “ndal!” komplotit të heshtjes qeveritare ndaj denoncimeve pesëvjeçare të përjavshme të institucionit më të lartë të kontrollit në vend, KLSH, me praninë tënde në analizën e tij vjetore 2016.
Revolta e paqartë në kërkesat e saj, e njerëzve të thjeshtë të këtij vendi, të nëpërkëmbur dhe shpërfillur nga politika e ditës, gjeti veten dhe u kanalizua në ndikimin e mesazheve dhe deklaratave të tua, më të fortat që një diplomat i huaj ka bërë ndonjëherë këtej nga Ballkani. Shqiptaret gjeten veten ne shprehjet dhe fjalët e tua të guximshme. Je i huaji më simpatik dhe më me ndikim në opinionin qytetar të këtij vendi, që nga koha e Princ Vidit.
Kush vjen dhe zë vendin tënd, mban mbi vete këtë trashëgimi të rëndë dhe përgjegjësi të madhe: të tregojë se forca e pamatë e SHBA-ve mbi qytetarët, politikën dhe shoqërinë shqiptare mund të materializohet me veprime të thjeshta, të zgjuara dhe të drejtpërdrejta, alla Lu. Do të arrijë pasardhësja e institucionit Lu ta bëjë këtë?