Vëmendja e madhe që ka marrë vizita në Theth dhe në Kosovë e kryeministrit të qeverisë teknike Pilinci, e ka mërzitur shumë Mulin.
– Nuk e kuptoj si ka fituar gjithë këtë popullaritet, i tha Lelos.
Ka shumë mundësi që e fryn ky Edi Rama.
– Nuk besoj, tha Lelo.
Po duket si budalla dhe njerëzit bëjnë gallatë.
– Po të jetë për budallenj kemi dhe ne plot, po nuk janë kaq popullorë, tha Muli.
Kjo është një shenjë e keqe.
Duhet të bëhemi dhe ne si ai që të fitojmë emër.
– Nuk është e nevojshme, tha Lelo.
Rëndësi ka të thuash atë që duan njerëzit.
Ai tipi na ka vjedhur tezën e qeverisë teknike dhe e ka bërë realitet.
Ndaj ka vëmendje. Po ta kishim shpallur ne qeverinë teknike, do kishim ne vëmendje.
– Ne nuk shpallim dot kandidatët për katër poste në PD, tha Muli, jo qeveri teknike. I vënë zjarrin Shqupit.
– Epo këtu e ka suksesin ai, tha Lelo.
Nuk ka as seli, as kush t’ia ndezë. Ndaj e ka të lehtë ai.
– Duhet të shikojmë kush i ofrohet për qeveri teknike, tha Muli, se mund t’i shkojë ndonjë nga këta tanët dhe pastaj na mori lumi.
Ai Jenishehri kishte shkuar.
I kishte kërkuar t’i rregullonte çatinë e shtëpisë dhe kopertonin e pasëm të biçikletës.
Do fillojnë: Iku Gjuzi, erdhi Pilinci.
– Epo ndaj duhet aksion, tha Lelo.
Të bëjmë sikur bëjmë analiza, debate, emërime, se ndryshe do na marrë elektoratin.
– Dakord jam, tha Muli, po Doktori këmbëngul që deri në vjeshtë do bëjmë analizën si na kanë vjedhur, pastaj do fillojë analiza si të mbrohemi nga vjedhja radhës.
– Epo deri atëherë Pilinci bën dy qeveri, tha Lelo.
Mos u anko pastaj për Salianjin.
Ka dhe ai të drejtë të mbushë boshllëkun që po mbush Pilinci.