Nga Ardit Rada
Xhezair Zaganjori është një nga emrat që rrezikon përjashtimin nga radhët e drejtësisë, për shkak të mospërputhjeve që KPK ka gjetur në deklarimet e pasurisë së tij. I ardhur në krye të Gjykatës së Lartë në vitin 2013, gjyqtari nga Shkodra më parë ka shërbyer si ambasador në Gjermani dhe më pas për plot 10 vite si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Një karrierë e përmbledhur kjo për të treguar se kemi të bëjmë me një nga të mëdhenjtë e sistemit të Drejtësisë, por edhe njeri me lidhje politike që u dukën hapur kur u propozua si kandidat për President të Republikës.
Megjithatë justifikimet e Xhezair Zaganjorit mund të merren për bazë si vijim i precedentit me Bashkim Dedjan, kreun aktual të Gjykatës Kushtetuese, që i shpëtoi ‘Vettingut’ duke u rikonfirmuar në detyrë. Dhe deri këtu nuk ka asgjë të keqe, sepse nuk është rasti të diskutohen emra të përvetshëm. Por largimi i ‘kupolës’ së Drejtësisë, nuk është domosdoshmërisht një e keqe e madhe, sikurse kampi opozitar po përpiqet ta paraqesë në debatin politik të ditës.
Largimet nga seancat e ‘Vettingut’, apo vetëdorëzimet si në rastin e Adriatik Llallës, nuk ka dyshim se kanë sjellë një pastrim të sistemit të Drejtësisë, pavarësisht kostove që mund të mbartin. Një pastrim ky, për të cilin qytetarëve u ka rënë goja mbi 25 vite.
Vakuumi i krijuar në Drejtësi tashmë dihet se mund të zhbllokohet edhe nga ligji për ‘Magjistraturën’, që opozita nuk pranon ta votojë dhe që Kuvendi po e zvarrit seancë pas seance.
Në parim, nuk mund të ankohesh për boshllëqet e krijuara kur nuk jep kontribut për mbushjen e këtyre ‘vrimave’ në Gjykatë dhe Organ Akuze. Edhe pse ështe e qartë se qarjet për vakuume e kanë bishtin mbrapa. Përderisa nuk mundën ta ndalnin, tani rrugës të nxjerrin në pah ‘pikat e dobëta’.
Si çdo proces pastrues, Vettingut është një çerdhe ku e mira dhe e keqja rrinë bashkë. Kosto e përkohëshme e bllokimit të gjykatave është shumë më e ulët sesa kosto e 25 viteve padrejtësie që kanë dhënë togat e zeza në Shqipëri. Dhe nuk ka zë më të fortë që e ka sqaruar këtë, sesa udhëheqësit europianë që në çdo prononcim për Shqipërinë e shprehin hapur se po bën një spastrim të drejtësisë që nuk e ka parë asnjë vend i botës perëndimore deri më sot.