Nga Mero Baze
Lulzim Basha ka sulmuar biznesmenin Fusha, pronar i kompanisë që pritet të lidhë kontratën për ndërtimin e Teatrit të ri përmes një ligji special, që bazohet në frymën e partneritit publik privat. Sulmi ka shkaktuar debat, jo vetëm se është diçka e re në profilin e Lulzim Bashës, por mbi të gjitha se “Fusha sh.p.k”, është një kompani që ka qenë ngushtësisht e lidhur me Lulzim Bashën. Ajo ka qenë kompania thuajse eksluzive në çdo kontratë për pastrimin e Tiranës, në kohën që Basha ka qenë kryebashkiak, dhe po ashtu ndërtuesja e sheshit “Skënderbej” në formë “linesi”, ndërtuar nga Basha.
Natyrisht nuk mund të fajësojmë Fushën për linesin e shëmtuar që i bëri Tiranës, dhe nuk u prish për shkak se e ndërtoi ai, por se ishte një gjë e shëmtuar, që kishte ndërprerë një projekt serioz dhe modern, siç u bë.
Qëndrimi i sotëm i Lulzim Bashës, megjithatë nuk është një lajm politik, por pasurim i biografisë së tij si lider klientelist dhe gjobëvënës. Lulzim Basha nuk ka gjë me biznesmenët e mëdhenj, që janë partnerët kryesorë të qeverisë në punët publike. 90 për qind të tyre janë miqtë e tij të ngushtë dhe të PD-së, dhe ky debat është konsumuar disa herë në publik dhe nga prej vetë Edi Ramës. Përfituesit e koncesioneve të mëdha të qeverisë janë biznesmenë të djathtë, sponsor të PD-së dhe të Lulzim Bashës, dhe Basha nuk flet kundër tyre. Mirë bën që nuk flet, por ai nuk e ka heshtje parimore, por klienteliste. Hesht se i ka dhe të vetët si klientë.
Dje, një ish- deputet demokrat i kërkonte llogari Bashës e Berishës, pse nuk flasin për PPP-në e rrugës Thumanë- Vorë, që duket shumë e shtrenjtë. Më parë e njëjta histori ka qenë me koncesionin e “Rrugës së Kombit”, dhe me shumë biznesmenë të mëdhenj, që janë partnerët kryesorë të qeverisë dhe miqtë më të rëndësishëm të Bashës.
Pra, Lulzim Basha nuk është duke nisur një aksion politik kundër biznesmenëve të mëdhenj që janë partnerë të qeverisë. Sikur ta niste, do ishte lajm i rëndësishëm. Por Lulzim Basha e ka sulmuar Fushën si tradhtar të tij, si një biznesmen që me sa duket është mërzitur me Bashën dhe i ka mbyllur telefonin.
Ai është sot viktimë e një gjobvënësi dhe jo e një parimi politik, se nëse do fliste për parime, lista e biznesmenëve të mëdhenj partnerë të qeverisë është shumë e gjatë dhe e gjitha ka kaluar përmes zyrës së Bashës, si sponsor të tij. Edhe Fusha është një ish i tillë, por me sa duket ka mbetur “ish”.
Ai është sot nën sulm, jo si njeri që ka shkelur parimet politike të opozitës, por si njeri që duket se nuk i ka mbajtur besën Bashës për punët e tij.
Ndaj gjithë ata që shpresojnë se Basha tani i ka hyrë një rruge radikale, anti-establishment, ose duan të gënjejnë veten, ose duan të gënjejnë të tjerët.
Basha, përkundrazi është duke përsosur sistemin e gjobëvënies dhe mbajtjes nën kontroll të establishmentit, dhe po sulmon ata që i dalin nga rreshti. Është duke e përsour sistemin, jo duke e shkatërruar atë.
Dhe më e keqja është se nuk tremb dot askënd, as laraskat e zyrës së vet.