Arben Rakipi, drejtues i Shkollës së Magjistraturës dhe një nga hartuesit kryesorë të draft-Kodit të ri Penal, i cili ka ngjallur debat të gjerë publik dhe institucional, ka folur së fundmi në një intervistë për RTSH rreth rolit të tij në sistemin e drejtësisë, duke e përshkruar veten si një figurë model që ndikon me personalitetin dhe karakterin e tij.
I pyetur nga gazetarja për mënyrën se si ndikon në sistem dhe për njohjen e tij me drejtuesin e SPAK, Rakipi u shpreh:
“Unë ndikoj në sistem sepse jam model për t’u ndjekur, për shkak të integritetit të lartë që mban personaliteti im në marrjen e vendimeve, aftësive profesionale të larta që kam, dhimbshurisë së madhe për viktimat, humanizmit i cili më shoqëron përgjatë gjithë kohës, patriotizmit të madh që më karakterizon dhe dashurisë pa fund për këtë vend dhe për sistemin e drejtësisë. E do ishte e zgjuar, e mençur, dobiprurëse për cilindo që më ndjek. Dua të vetëparaqitem i tillë pa doreza, në mënyrë që të gjithë të këqinjtë apo dashakeqësit të mos lodhen kot për të më ndryshuar, apo për të më shantazhuar, apo për të më larguar nga ky piedestal në të cilin më ka vënë puna, energjia, sakrificat që kam bërë dhe kolegët që më njohin.”
Tonet vetëlavdëruese të një hartuesi ligjesh, nuk i shkojnë për shtat një zyrtari të vjetër të shtetit shqiptar, duke qene se nuk mund të vendoset vetja në “piedestal”, ndërsa ligjet nuk duhet të ndërtohen mbi karaktere apo figura të caktuara, por mbi parime të barazisë para ligjit dhe respektimit të standardeve ndërkombëtare.
Draft-Kodi i ri Penal, të cilin Rakipi ka kontribuar në hartimin e tij bashkë me Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, ka qenë në qendër të kritikave nga juristë, shoqëria civile dhe aktorë ndërkombëtarë.
Kujtojmë se Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka dalë publikisht me një deklaratë zyrtare ku theksoi se nuk ka marrë pjesë në hartimin e këtij kodi, duke nënvizuar mungesën e përfshirjes dhe transparencës me partnerët ndërkombëtarë në një proces kaq të ndjeshëm dhe themelor për sistemin e drejtësisë.