Nga Ylli Pata
Protesta e së shtunës dhe bllokimi i sotëm i foltores në Kuvend, kanë përvijuar një taktikë që do të ndjekë opozita e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit: përplasje në Kuvend dhe demonstrime në rrugë.
Kjo për të arritur atë që kërkojnë dy partitë: rrëzimin e Edi Ramës dhe ngritjen e një “qeverie antimafia”, që të ndërtohet me pajtimin e Ramës, Bashës dhe Kryemadhit, por pa kryeministrin aktual.
Kanë nisur të qarkullojnë madje edhe emrat që opozita do të pranojë si kandidatë për kryeministër ku spikasin Pandeli Majko e Fatmir Xhafa.
Por ajo që është ende enigmë mbetet qëndrimi zyrtar i PD-së, nëse Komisioni Europian do të kërkojë nga 28 liderët e BE-së mendimin dhe votën për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Sipas gjasave, plani është që në Samitin e Sofjes Ballkani Perëndimor të kalojë si paketë, pra Shqipëria e Maqedonia të hapin negociatat, Serbia e Mali i Zi të avancojnë kapitujt e negociatave dhe Bosnjë Hercegovina të nisë firmosjen e MSA-së.
Megjithatë, sipas të gjitha gjasave Komisioni Europian do të marrë qëndrimin zyrtar të opozitës shqiptare, nëse kjo e fundit është për të hapur negociatat apo jo.
Deri tani, PD dhe LSI nuk kanë dhënë një qëndrim përfundimtar, por një paradhënie ka ardhur në faqet e shtypit shqiptar.
Akil Kraja, një nga përfaqësuesit e rinj të PD-së të “ekipit Basha”, është këshilltar në Bashkinë e Tiranës për opozitën dhe një nga hartuesit e politikave në selinë blu. Ai, në një koment të botuar në gazetën “Panorama”, thekson se PD duhet të jetë kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Ja ç’shkruan Kraja:
“Opozita, shoqëria civile dhe intelektualë me peshë, duhet t’i adresohen zyrtarisht Bashkimit Europian, duke i kërkuar që hapja e negociatave të kushtëzohet me rezultate reale e të pranuara nga të gjitha palët në luftën kundra krimit të organizuar dhe Reformën në Drejtësi. Një kushtëzim, që lejon si alternativë të vetme legjitime krijimin e një qeverie antimafia. Një strategji kjo e ngjashme në formë, por thellësisht e ndryshme në përmbajtje, nga ajo që ka ndjekur opozita e kaluar para disa vitesh për një mandat lokal në Fier.
Refuzimi i hapjes së negociatave dhe kushtëzimi i ngritjes së një qeverie antimafia, do të kishte një seri përfitimesh për të gjitha palët. Edi Rama, duke dhënë dorëheqjen si Kryeministër, do të dëshmonte një “dimension lideri”, i cili pranon të tërhiqet për të mirën e vendit duke marrë kështu një pjesë të meritës së hapjes së negociatave të mëvonshme. Opozita e drejtuar nga Lulzim Basha do të shihte kërkesën e saj për një qeverisje teknike të realizuar. Populli shqiptar do të merrte hapjen e negociatave në kushte më favorizuese sesa nën qeverisjen Rama, të diskredituar botërisht për bashkëpunimin me krimin e organizuar”.
Ka shumë gjasa që kjo tezë të bëhet gjithnjë e më mbizotëruese nga opozita. Pra ajo nuk do të japë “Ok”-in për hapjen e negociatave me Edi Ramën Kryeministër.
Le ta analizojmë këtë strategji.
BE ka vendosur që në samitin e Sofjes të mbyllë punët me Ballkanin duke e kaluar en-block si masë profilaktike për influencën ruse.
Deri tani, të gjitha deklaratat e bëra nga krerët e BE-së janë për hapjen e negociatave. Kjo u bë e qartë nga Presidenti Donald Tusk, Kreu i Komisionit Jean Claude Juncker dhe kryetari i Parlamentit Europian Antonio Tajani, gjatë takimit që patën në dhjetor me Edi Ramën.
Nëse opozita do ta bindë BE-në, kjo e fundit do ta anulojë vendimin dhe në maj do të penalizojë vetëm Shqipërinë. Por nëse ndodh kjo, atëherë të vetmit vende jashtë Europës në Ballkan janë Shqipëria dhe Kosova, çka do të dërgojë procesin në kalenda.
Gjithsesi nëse ndodh kjo, nuk është e thënë që Basha e Kryemadhi të galvanizojnë një proces që çon në rrëzimin e Edi Ramës.
Sepse, edhe nëse i qëndrojmë argumenteve të opozitës që “Rama është i kapur nga krimi”, ai nëse izolohet nga Europa mund të vazhdojë edhe më keq “i kapur nga krimi”.
Kështu që vendi do të futet në një qerthull jo stabiliteti, që edhe nëse Lulzim Basha bëhet kryeministër, integrimi në BE do të vonohet siç ndodhi në vitin 1997. Pra nuk do të ketë qar por qeder nga kundërshtimi.
Kurse nëse opozita thotë “Po” për hapjen e negociatave, me kushtin për shembull që librin të mos e firmosë vetëm Edi Rama por edhe Lulzim Basha, apo qoftë edhe Monika, atëherë vendi hyn në rrugën e BE-së.
Duke qenë në monitorimin e BE-së, Rama është më i limituar për të vepruar me “dorë të lirë”. Kemi rastet e Rumanisë, Bullgarisë, apo edhe Kroacisë. Sanader u arrestua pasi hapi negociatat me BE-në, sa për shembull.
Por mund të ketë edhe një rrugë tjetër? Ja një opsion: menjëherë pas këtij hapjes së negociatave, opozita mund të kërkojë largimin e Edi Ramës dhe ngritjen e një “qeverie antimafia” ku brenda saj të jetë edhe Basha e Kryemadhi.
Madje këtë kusht mund ta thotë që tani; pra t’u bëjë të ditur krerëve të Brukselit se “ne e japin ‘Ok’, por të firmosim një marrëveshje detyruese ku Edi Rama të largohet më pas”. Natyrisht do të ketë të vështirë të bindë politikanët europianë, Angela Merkelin në radhë të parë, por gjithsesi i takon opozitës që të hyjë në proces.
Kurse duke dhënë votën “Jo”, mund të futet në një llogore që e çon në qerthullin e “euroskeptikëve”, llogore në të cilin Basha e futi veten edhe me çadrën.
Nëse e mbani mend letrën e hapur të Johannes Hahn(një politikan i djathtë austriak) që para zgjedhjeve parlamentare të caktuara në fillim më 18 qershor, u kërkoi shqiptarëve që të mos ndjekin PD-në por të votojnë. Pra njohu zgjedhjet edhe nëse opozita do ta bojkotonte.
Megjithatë ka edhe rrugë të tjera: Basha mund ttë inicojë një referendumi, nëse duan shqiptarët që qeveria e Edi Ramës të largohet para hapjes së negociatave apo jo?
Do ta kundërshtojë mazhoranca? Po le ta propozojë njëherë, rëndësi është që të prodhojë më shumë politikë se potere… /tesheshi.com/