E mbani mend kohë më parë, se si kryetari i PD-së së Lushnjes, Myslim Murrizi, sot deputet i parlamentit, ofendoi me gjuhë rruge një efektiv të policisë së shtetit, madje duke mos qenë i bindur në gomarllikun e tij, e filmoi të gjithë ngjarjen duke e publikuar në rrjete sociale… për “heroizëm”. Pasi e morën me “shpulla” në godinën e SHQUP-it, se xhesti i tij ishte një marrëzi, Murrizi u detyrua të hiqte videon nga profili, por më kot, të gjithë mediat po e transmetonin fodullëkun antiligjor të tij.
Jo më larg se dje, kryetari i degës së Gramshit Elmaz Haruni, kopja “siameze” e Murrizit, nisi të shante dhe fyente me “libër shtëpie” efektivët e policisë. Në vendngjarje ndodheshin edhe efektive femra, të cilat u detyruan të dëgjonin sjelljen rrugaçërore të një kryetari, me profesion mësues, që e ushtron ende, që gulçonte dhe villte vrerë nën efektin e alkoolit kundër shtetit, policisë, familjeve, grave dhe nënave të policëve, dhe gjithë Shqipërisë.
Duke iu referuar të dyja ngjarjeve, që kanë ndodhur në një kohë relativisht të shkurtër, rezulton se kryetarët e degëve të PD-së, flasin dhe sillen si halabak, diferenca e njëri me tjetrin është, se njëri është “dekoruar”, me sa duket për merita të veçanta në sjellje… deputet në parlament, ndërsa tjetri është në rrugën e tij drejt “lavdisë” dhe shumë shpejt mund të jetë kandidat për deputet, për vlerat e halabakërisë që përcjell.
Askujt të mos i shkoi mendja, se rrugaçëria është “patologji” e lushnjarëve, gramshiotëve, fierakëve, tropojanëve apo tiranasve, për këtë nuk do as mend dhe as kalem… por kjo sjellje, është katandisja për të ardhur keq, e ca “pushtuesve” pa moral dhe të çoroditur brenda PD-së! Fare mirë mund të kujtojmë, edhe rastin e deputetes Albina Deda, që ofendonte një tjetër polic dhe nuk respektonte uniformën, apo të Albana Vokshit dhe arrestimin e saj prej policisë së Kosovës.
Me sa duket rrugaçëria është sindromë dhe mendësi, që prodhon partia demokratike, për sa kohë që nuk del ndonjë “hundëlesh”, që drejton policinë, t’ua “thyej turinjtë” këtyre halabakëve, me forcën që ia jep uniforma dhe ligji, që duhet të jetë i barabartë për të gjithë.
Nëse halabakëve të veshur me kostum, nuk u “thyhen hundët” dhe arroganca e tyre, çdo qytetarë shqiptarë ka të drejtë të paragjykojë uniformën e policit, se kriminelëve të vërtetë me pushtet, apo kandidat për pushtet… u puthin duart.
PD nuk ka ndërmend të disiplinohet, për sa kohë që sjellje të tilla janë bërë përsëritëse, por ama u duhet dhënë një dorë, ose ndoshta dy, që qytetarët shqiptarë të kuptojnë kush është më e fortë… ligji, Murrizi, Elmazi, Vokshi, Basha… apo Maliqi!/Ekskluzive.al