Në 30 janar, Ambasadori Lu u takua me studentë nga Universitet Bedër dhe Logos, Zoja e Këshillit të Mirë, Instituti Teologjik Katolik në Shkodër, dhe Akademia Ortodokse në Durrës për një diskutim të hapur. Ai përgëzoi studentët nga komunitete dhe universitete të ndryshme fetare për punën e tyre për të çuar përpara traditën shqiptare të dialogut ndërfetar dhe vuri në dukje se “Kjo është një nga tiparet/gjërat që e bën vendin tuaj të fortë.”
Fjala e plotë ambasadorit Donald Lu:
Rektor Gjana, Profesor Hajderi, Rektor Teliti, udhëheqës fetarë, profesorë, të dashur studentë,
Mirëmëngjes! Ju bashkohem sot për të thënë ju lumtë për punën tuaj në përkrahjen e tolerancës fetare. Kështu që do ta nis me disa komente për tolerancën fetare në jetën time dhe këtu në Shqipëri. Më pas do të flas për Ditën e Kujtesës së Holokaustit në kontekstin shqiptar. Dhe në fund, do të jem i lumtur t’iu përgjigjem pyetjeve dhe të dëgjoj komentet tuaja.
Sa prej jush rrjedhin nga familje me prindër apo gjyshër, halla apo teze ose xhaxhallarë apo daja, të cilët kanë fe të ndryshme?
Unë kam një prejardhje shumë të ndërlikuar fetare. Im atë, i cili u rrit në Kinë, ishte budist. Nëna dhe vëllai im i madh janë katolikë. Motra dhe unë jemi protestantë. Vjehrra ime është hebreje. Kunati im gjerman është një ateist. Dhe unë e kam jetuar pjesën më të madhe të jetës në vende myslimane dhe hinduiste.
Pyetja e madhe për familjen time është se me çfarë besimi do t’i rrisim fëmijët tanë. Përgjigjja është se do t’i lejojmë që ta vendosin vetë se çfarë feje do të ndjekin.
Megjithatë e di se do t’i rrisim fëmijët tanë që të jenë tolerantë dhe të pranojnë njerëzit e të gjitha besimeve. Pjesë e përvojës së mrekullueshme që fëmijët e mi kanë jetuar në shumë vende të botës është se kanë takuar njerëz të të gjitha besimeve të ndryshme.
Ju si shqiptarë e keni gjithashtu këtë mundësi të mrekullueshme. Jam i sigurt se të gjithë keni miq të mirë të cilët janë myslimanë, bektashinj, katolikë, ortodoksë, protestantë dhe ateistë. Kjo është një nga gjërat që e bën këtë vend të fortë.
Në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, këto dallime fetare kanë rezultuar në luftë dhe vuajtje. Në Shqipëri, kjo larmi besimesh ka rezultuar në kontribute të jashtëzakonshme të bashkësive fetare të Shqipërisë. Njerëzit e besimit në Shqipëri kanë krijuar ndërtesa të shkëlqyera, kremtime ndërfetare të festave fetare, organizata për t’u shërbyer të varfërve dhe lidhje kulturore me njerëzit në mbarë botën.
Dhe tradita e jashtëzakonshme e tolerancës fetare të Shqipërisë sigurisht që ka lidhje me Holokaustin dhe mbrojtjen e mijëra hebrenjve që kërkuan mbrojtje këtu gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Vjehrra ime hebreje organizoi kohët e fundit në Memfis, Tenesi, shfaqjen e filmit “Besa”. Ky film tregon historinë e mijëra familjeve shqiptare që rrezikuan jetën e tyre për të mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky është gjithashtu një film që diskuton rëndësinë kulturore të mikpritjes së shqiptarit dhe mbajtjes së fjalës së dhënë. Vjehrra ime ftoi amerikanë nga xhamia e qytetit të saj, si dhe shqiptaro-amerikanë që jetojnë në Memfis. Historia juaj e jashtëzakonshme për besën ka ndihmuar edhe në nxitjen e tolerancës fetare në vendin tim.
Dhe sot, shohim që feja në pjesë të botës, përfshirë Sirinë, Irakun, Birmaninë, Sudanin e Jugut dhe Afganistanin, përdoret për të justifikuar dhunë dhe vuajtje të tmerrshme.
E di se të gjithë ju do të jeni pjesë e brezit që i jep fund dhunës që justifikohet përmes fesë. E di që tashmë jeni duke folur për mënyrën se si besimet tona të shumta forcojnë komunitetet tona në vend që t’i ndajnë ato. E di që të gjithë ju qëndroni kundër dhunës dhe do të ndihmoni të bindni njerëzit e tjerë se ne të gjithë – myslimanë, ortodoksë dhe katolikë – jemi të njëjtë në atë që duam për familjet dhe komunitetet tona.
Faleminderit të gjithëve që keni marrë pjesë në programin e tolerancës fetare dhe një falënderim i madh për profesorët, dekanët dhe rektorët tuaj për nxitjen e aftësive tuaja drejtuese për të rinj të tjerë.