Një incident mes kreut lokal të PD-së së Gramshit me policë rrugorë, Elmaz Haruni, i ka ngjarë pikë për pikë asaj që ndodhi dhe me ish-kreun demokrat të Lushnjës afro dy vite më parë, Muslim Murrizi, sot deputet. Në dy rastet, krerët e “vegjël” demokratë i lëshohen policisë me fjalë fyese e xanxa të natyrës politike, për t’u mbrojtur më pas zyrtarisht nga partia e tyre, me arsyetimin e thjeshtëzuar se po “goditen për arsye politike”.
Dhe shtrohet pyetja: se përse duhet të goditen për arsye politike? Cila është pesha e tyre në jetën politike që patjetër duhet të goditen? Pastaj përse kjo goditje duhet të jetë kaq e rëndomtë e kaq banale me policë rrugorë? Vjen më pas pyetja tjetër: mbi ç’përllogaritje politike pushteti po godet krerë lokalë të opozitës?
Ngado nga ta kapësh e ta marrësh, hipotetiksht vështirë se mund të ndërtohet asnjë arsyetim logjik se vërtet pushteti kërkon të godasë ca krerë lokalë demokratë, duke shfytëzuar policinë rrugore, pra rregullat e qarkullimit. As nuk ka ekzistuar e as nuk ekziston ndonjë kontekst zhvillimesh politike ku specifikisht policia rrugore të shfryjë inate me krerë lokal partish. Po hipotetikisht, vetëm një arsye mund të ekzistojë, djallëzore fare, që policia t’i provokojë deri në pikën që atë të lëshohen me të tillë fjalori, për t’u vetëdiskretituar, personalisht e më pas dhe në njollosje të partisë së cilës i shërbejnë, një kurth që kjo e fundit nuk arrin t’i shmanget dot kur u del në mbrojtje.
Nga ana tjetër, edhe sikur policia të jetë vërtet ndëshkuese me pa të drejtë, fakti që në dy rastet, gjuha ndaj tyre është ajo e ligjërimit klasik të partisë, duke i parë ata, policët jo si shërbëtor shteti, paçka plot ceneve, në etikë apo zbatim ligji, por si kontigjente politike, ku veçon etiketimi “hashashist”, tregon se shkelja më së pari është e vetë atyre që aspirojnë të drejtojnë shtetin një ditë, pa llogaritur gjuhën rrugaçeske deri në neveri.
Janë këto të tilla incidente, ku opozita do mund t’i shfrytëzonte për t’u bërë më respektuese nga njerëzit, për të treguar diferencën, etikisht dhe në qasje politike. Fakti që nuk ndodh është një akuzë e rëndë për të, përkthyer në zvogëlim akoma më të madh mundësish për të ardhur në pushtet. /tesheshi.com