Drejtuesja e emisonit “Studio e Hapur” Eni Vasili në një shkrim për Panorama ka pranuar kalimin e emisionit të saj ditën e enjte, në fashën e orarit kur ishte emisioni i Ylli Rakipit.
Në shkrimin e saj Vasili flet edhe për ‘rivalët’ dhe se kush do ta ketë shikueshmërinë më të madhe të enjteve. Vasili është shprehur se e enjtja në të vërtetë i përket publikut, dhe nuk ka çmim.Sakaq, ka hedhur akuza ndaj disa prej gazetarëve që sipas saj bëjnë vetëm shantazh me politikën:
“E enjtja ime është mundi dhe sakrifica e një gruaje në gazetari, në përpjekje për të garuar me dinjitet dhe integritet, në një treg të deformuar interesash burro-politiko-personalo-bizneso gazetaraske, ku më i “pëlqyeri” është ai gazetar gjobaxhi që di të bëjë shantazhin e rradhës me pushtetin, për të arritur më pas marrëveshjen e pritur, ai që ka jo vetëm orën më të shtrenjtë dhe makinën tip i fundit, por kalon me krenari e karshillëk edhe fundjavat e pushimet, me politikanë e bankierë, për t’i intervistuar më pas rehatshëm e mërzitshëm të enjteve tona” – shkruan Eni Vasili.
Përshkrim ky që i shkon përshtat drejtuesit të emisionit “Opinion” në Tv Klan.