Ditën e sotme u vu re një krisje mes forcave opozitare ku në njërin krah Partia Demokratike dhe aleatët kishte bojkotuar Kuvendin dhe nga ana tjetër Lëvizja Socialiste për Integrim kishte zgjedhur të mos e respektonte këtë qëndrim duke u paraqitur në Parlament.
Fill pasi kryedemokrati Lulzim Basha e quajti këtë si “skemë të vjetr të sigurimit”, nënkryetari Luan Rama doli në një konferencë për shtyp ku sqaroi pozicionin e LSI.
Ai u përpoq të qetësojë liderin e demokratëve se ndanin të njëjtin qëndim.
“Më duket se kjo është pak si skenë nga ato të vjetrat e Sigurimit, disa prej tyre ecin akoma, po kjo nuk ecën. Opozita ka një qëndrim unik për këtë çështje dhe qëndrimi është që siç e thashë herën e fundit, nuk mund të shërojmë një pacient që i janë këputur krahët dhe këmbët, thjesht duke i fashuar plagët”, u shpreh Basha në “selinë blu”.
Ndërsa nënkryetari i LSI tha:
“Ne ndajmë të njëjtin qëndrim me opozitën.
Askush nuk është kundër Vettingut. Gjykata kushtetuese apo Gjykata e Lartë, rezultojnë se kanë probleme të mëdha me integritetin dhe me ligjet. Sot nuk duhet të mos ishim pa gjykatë Kushtetuese dhe me gjykatën e vjetër, duhet të ishim me të re-në. Problemi është kush i zëvendëson.
Është e pafalshme madje skandaloze që Shqipëria është një vend pa Gjykatë Kushtetuese. Do të jetë pa gjykatë Apeli dhe pa gjykata të tjera. Do jetë me arrogancën e papërgjeshmërisë, për të kapur sistemin në Drejtësi”, u shpreh Rama. (TemA)