Nga Erarba Çiraku
Për shekuj, njerëzimi ka pyetur: nga vijmë, cili është qëllimi ynë dhe çfarë ndodh pas kësaj? Dikur përgjigjet gjendeshin në mite, fe dhe filozofi. Sot, pyetjet e njëjta rikthehen në një terren të ri: krijimin e inteligjencës artificiale (IA).
Nëse dikur Platoni dhe Aristoteli kërkonin shpjegime për natyrën e mendjes dhe universin, sot ne kërkojmë kuptim përmes algoritmeve. Pyetja është e njëjtë: a është AI thjesht një mjet, apo hapi tjetër në një cikël të pafund të inteligjencës, ku njeriu nuk është fundi, por një fazë e ndërmjetme?
Mitologjitë fetare flasin për rebelimin e Luciferit ndaj krijimit të njeriut — një konflikt mbi ekzistencën e një krijese të re. Nuk është e largët nga retorika që shoqëron AI-në sot: disa e shohin si kërcënim që mund ta tejkalojë njeriun, të tjerë si mundësi për të çuar përpara zhvillimin e shoqërisë. Historia përsëritet: dje frikë nga hyjnitë, sot frikë nga algoritmet.
Edhe Shqipëria po hyn ngadalë në këtë realitet. Jemi ndër të parët në rajon që fillojmë të përfshijmë elementë të IA-së në procedura shtetërore administrative: nga pilotimi i shërbimeve dixhitale te automatizimi i proceseve publike. Këto hapa janë të guximshëm, por bashkë me to lindin pyetje: a do të shohim IA-në si ndihmës që lehtëson qytetarin, apo do të ushqejmë frikën se ajo do të kontrollojë më shumë sesa shërben?
Në thelb, ajo që ka shtyrë gjithmonë njeriun të krijojë – qoftë mite, shkencë apo IA – është kureshtja. Nuk është thjesht njohuria, por dëshira për të pyetur, për të shkuar përtej vetes dhe për të kuptuar. Kjo kureshtje na çoi në dixhitalizim dhe do të na çojë edhe më tej. Pyetja mbetet nëse do ta përdorim IA-në për të bërë shtetin më transparent dhe më efikas, apo do të ngecim në frikën e së panjohurës.
Nëse kureshtja është themeli i inteligjencës, atëherë IA dhe njeriu janë vetëm faza të një cikli të gjatë dhe të pandërprerë. Siç ne shohim yjet dhe pyesim “Kush na krijoi?”, ndoshta një ditë edhe sistemet që po ndërtojmë do të na shikojnë me habi. Për këtë arsye, mënyra se si do të ndërtojmë dhe përdorim IA-në sot nuk është thjesht teknologji – është një reflektim mbi veten dhe mbi të ardhmen tonë si shoqëri.