Gjyqtarja Andrea u dënua për korrupsion, Dizdarin e kapi “Veting”-u, Fullanit i nxorrën burrin nga burgu, Zenelaj ka siklet me pasuritë “mal”
REPUBLIKA E SHQIPËRISË, GJYKATA E LARTË, KOLEGJI PENAL
Nr.8/1 i Regj. Themeltar, Vendim nr. 8, datë 16.01.2012
VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i caktuar me shortin e datës 11.05.2011 dhe 17.06.2011, i përbërë nga:
Ardian Dvorani, Kryesues. Anëtarë të trupit gjykyes: Gani Dizdari, Majlinda Andrea, Arjana Fullani, Guxim Zenelaj, sekretare Brunilda Ago e Anisa Take, seancë data 16.01.2012, shqyrton çështjen penale, Nr.8/1 të vitit 2011, me palë:
KËRKUES: PROKURORIA E PËRGJITHSHME E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, e përfaqësuar sipas udhërit të datës 24.01.2011 të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, nga prokurorët pranë kësaj Prokurorie, Bujar Sheshi dhe Anila Leka.
I PANDEHUR: Ilir Meta, i biri i Rexhepit dhe i Fiqiretes, lindur në Skrapar më 24.03.1969, banues në Rrugën “Muhamet Gjollesha”, Kulla nr.1, Tiranë, me shtetësi shqiptare, me arsim të lartë ekonomik, i martuar, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i padënuar, në gjëndje të lirë, i mbrojtur nga avokatët Petrit Serjani dhe Gëzim Veleshnja.
I AKUZUAR: Për kryerjen e veprës penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
VENDIMI
Bazuar në analizën e hollësishme të provave të pranuara për shqyrtim dhe që i janë nënshtruar debatit gjyqësor, Kolegji Penal nuk krijoi bindje se në gjykim u vërtetua që i pandehuri Ilir Meta të ketë kryer veprën penale të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, për të cilën ndaj tij ishte ngritur akuza nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme dhe u kërkua deklarimi fajtor i tij për kryerjen e kësaj vepre penale.
Kolegji Penal, pasi shqyrtoi dhe çmoi tërësinë e provave të pranuara dhe verifikuara në gjykim dhe pasi i analizoi ato në raport me ligjin procedural dhe material të zbatueshëm, vjen në përfundimin se nuk mund të krijohet bindje mbi ekzistencën e faktit në kuptimin penal, pra që i pandehuri Ilir Meta, me sjelljen e veprimet e tij si dhe me bisedat e zhvilluara, t’i ketë ofruar shtetasit Dritan Prifti shpërblime e përfitime materiale, me qëllim që ky i fundit, në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tij publike, të favorizonte dy subjekte të caktuara, të afërta me të pandehurin Ilir Meta, në dy konkurrime të ndryshme publike: dhënien me koncesion të hidrocentralit Egnatia-Shushicë dhe shitjen me ankand të një sasie prej 50 mijë MT naftë bruto të Shoqërisë “Albpetrol” sh.a.
Duke qenë se, sipas parimeve e normave kushtetuese dhe atyre të ligjit procedural penal, ardhja nga gjykata në përfundimin se fakti penal që i atribuohet të pandehurit nuk vërtetohet se ekziston, sjell natyrshëm disponimin e gjykatës për deklarimin e pafajshëm të së pandehurit dhe VENDOSI:
Deklarimin e pafajshëm të së pandehurit Ilir Rexhep Meta, për akuzën e kryerjes së veprës penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi fakti nuk provohet se ekziston, bazuar në nenin 388, pika 1 shkronja “a” të Kodit të Procedurës Penale. Shpallur në Tiranë, në datën 16 Janar 2012.
Trupa gjyqësore: Ardian Dvorani, Kryesues i seancës. Antarë: Gani Dizdari, Majlinda Andrea, Arjana Fullani, Guxim Zenelaj
Ja mendimi paralel, i gjyqtar-kryesuesit të seancës, Ardian Dvorani
Qëndrimi im për zgjidhjen e çështjes, është ai i përbashkët me gjyqtarët e tjerë për deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Meta, sepse nuk vërtetohet që fakti ekziston në zbatim të shkronjës “a” të pikës 1 të nenit 388 të Kodit të Procedurës Penale. Ky qëndrim, sipas gjykimit dhe bindjes sime të brendshme, është e vetmja zgjidhje përfundimtare për çështjen, nisur nga ato prova të cilat, Kolegji Penal, me vendimet e ndërmjetme të marra në seancë dhe në dhomën e këshillimit, vlerësoj që t’i pranojë dhe administrojë për t’ia nënshtruar debatit gjyqësor dhe, për rrjedhojë, si provat e vetme për t’i pasur në mbështetje të vendimit përfundimtar.
Por, gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, në lidhje me kërkesat paraprake të palëve, sikurse edhe në lidhje me disa aspekte të vijimit të hetimit gjyqësor të vëna në bisedim kryesisht, kam pasur disa qëndrime të ndryshme apo të kundërta nga shumica e Kolegjit Penal, qëndrime që lidhen me respektimin e ligjit procedural penal, me objektin e të provuarit dhe rrethin e provave që duhet të pranoheshin e verifikoheshin direkt në seancë gjyqësore, pra me disa aspekte vendimtare të realizimit dhe ezaurimit të një hetimi gjyqësor të plotë, mbi bazën e të cilit Kolegji Penal do të mund të jepte një vendim pushimi, pafajësie apo dënimi ndaj të pandehurit Ilir Meta.
Në seancën e parë gjyqësore, atë të datës 20.06.2011, mbështetur në nenin 354 të Kodit të Procedurës Penale, nga ana e mbrojtësve të së pandehurit Ilir Meta, u paraqitën disa kërkesa paraprake, me anë të së cilave, në thelb, kërkohej konstatimi i një numri shkeljesh ligjore të kryera nga prokuroria gjatë gjithë fazës së hetimeve paraprake, për rrjedhojë deklarimi i pavlefshëm i veprimeve hetimore dhe me efekt papërdorshmërie të provave materiale, si dhe të thënieve të deklaruesit Dritan Prifti, të cilat sillnin përfundimin se duhet të pushohej gjykimi i këtij procedimi penal për shkak se ndjekja penale nuk duhet të fillonte.
Lidhur me këto kërkesa paraprake të të pandehurit Ilir Meta, Kolegji Penal u shpreh me vendimin e ndërmjetëm të shpallur në seancën gjyqësore të datës 11.07.2011.
5. Ky vendimi i ndërmjetëm i Kolegjit Penal ishte unanim për sa i përket rrëzimit të kërkesave paraprake të së pandehurit Ilir Meta lidhur me:
– Pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e veprimeve hetimore të kryera, si dhe të provave të marra pas datës 12.04.2011 deri në datën 09.05.2011, si të kryera jashtë afateve procedurale.
– Papërdorshmërinë e videoregjistrimit të realizuar nga shtetasi Dritan Prifti, sepse është bërë në shkelje të nenit 221 e vijues të Kodit të Procedurës Penale mbi “Përgjimet”.
– Papërdorshmërinë e deklarimeve të shtetasit Dritan Prifti.
6. Lidhur me rrëzimin e kërkesës paraprake për pushimin e gjykimit të procedimit penal nr.1 të vitit 2011 të Prokurorisë së Përgjithshme për shkak se ndjekja penale nuk duhet të fillonte, Kolegji Penal arsyetoi se nuk rezultonte që, nga momenti i regjistrimit të këtij procedimi nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, pra nga data 24.01.2011, të jenë kryer veprime që nuk lejohen sipas dispozitave procedurale penale në ngarkim të personit me imunitet, pra personit ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim.
Për rrëzimin e kësaj kërkese, përveç sa arsyetohet bashkërisht me anëtarët e tjerë të trupit gjykues, kam shprehur si mendim paralel se, në kuptim e zbatim të drejtë të nenit 287 të Kodit të Procedurës Penale, thelbësore është që, ekskluzivisht, vetëm prokurori ka përgjegjësinë dhe diskrecionin të çmojë dhe disponojë për regjistrimin e emrit të personit të cilit i atribuohet vepra penale.
Ekspertët e video-përgjimit, kanë përmbushur detyrën e tyre edhe në respektim të neneve 184 e 185 të Kodit të Procedurës Penale, duke e dhënë mendimin e tyre me shkrim dhe brenda afateve ligjore të parashikuara nga norma procedurale.
Po kështu, ekspertët e huaj, bazuar në detyrat e ekspertimit të ngarkuara nga prokurorët, realizuan veprimet e ekspertimit dhe përgatitën aktet përkatëse të ekspertimit sipas standarteve të mirënjohura të ekspertizës informatike ligjore që zbatohet në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar, shtete ku janë aplikuar për herë të parë dhe referuese në nivel ndërkombëtar në këto fusha ekspertimi.
– Materiali audio-viziv në pjesë të veçanta të tij është nën nivelin shkencor të kuptueshmërisë së përmbajtjen audio të tij (pika 6 e konkluzioneve, etj.)
Sikurse e pranon dhe trajton shkenca e së drejtës sonë procedurale penale, por dhe jurisprudenca perëndimore, thelbi i ekzistencës dhe parashikimit të motivit “fakti nuk vërtetohet që ekziston” është dyshimi mbi vërtetësinë e faktit penal që i atribuohet të pandehurit dhe ky dyshim vjen në përfundim të gjykimit, kur rezulton se provat janë të pamjaftueshme apo kontradiktore për të vërtetuar se fakti ekziston.
Pra, si rregull, gjykata gjendet thjesht përpara dyshimit për ekzistencën e faktit në kuptim të veprës penale, përpara rastit kur nuk mund të krijohet bindja se jemi ose jo përpara kryerjes së një vepre penale. Asnjëra nga mundësitë nuk përjashtohet dhe për pasojë ekzistenca e faktit në kuptimin penal mbetet e dyshimtë. Kjo është njëri nga elementët që e dallon këtë motiv nga pjesa e parë e shkronjës “a” të nenit 388, pra nga motivi se “fakti nuk ekziston” kur përfundimi i gjykatës vjen jashtë çdo dyshimi, mbi prova të mjaftueshme dhe jo kontradiktore me njëra-tjetrën.
Në një gjendje të tillë të provave, meqenëse parimet e normat kushtetuese dhe të ligjit procedural penal sanksionojnë se çdo dyshim shkon në favor të së pandehurit, pashmangshmërisht gjykata duhet të disponojë deklarimin e pafajshëm të tij.