I pari që parandjeu rrezikun që vinte nga Vettingu ishte Adriatik Llalla, ish Prokuror i Përgjithshëm, i cili për asnjë moment nuk e mbështeti këtë proces dhe as reformën në drejtësi.
Llalla që në atë kohë e parandjente se do të dilnin në shesh nga Vettingu sipërfaqe të jashtëzakonshme toke të përfituara në mënyrë të paligjshme, ullishte, pallate dhe ndërtime në të gjithë vendin, pastrim parash si dhe para e nxjerra jashtë vendit në rrugë tokësore.
Njëherësh, me sa duket i vënë në lëvizje dhe nga ekspertët e kupolës politike të asaj kohe në lidhje me rrezikun që kanosej për shkak të pasurisë së pajustifikuar, në këmbim të mbështetjes politike Berisha dhe Meta i kërkuan Llallës ndërhyrje për të pastruar veten dhe pasuritë e tyre.
Mbrojtje të cilën Berisha dhe sidomos Meta ia dhanë dhe atëherë kur Llalla kërkoi sekuestrimin e serverit të kompjuterave të Inspektoratit të Pasurisë, por dhe në përplasjen me ambasadorin Donald Lu, ku ish kryetari i Kuvendit dhe ish kryeministri mbajtën anën e ish Kryeprokurorit.
Dhe ish kryeprokurori Adriatik Llalla në mënyrë të papritur kërkoi sekuestrimin e serverit të kompjuterave të Inspektoratit të pasurisë, me argumentin se kishte dyshime për shkelje të ligjit.
Një fakt të tillë e kundërshtoi jo vetëm kreu i ILDKPKI Shkëlqim Ganaj, por e denoncoi me forcë dhe ambasadori amerikan Donald Lu, i cili e quante të papranueshëm një veprim të tillë.
“Po shohim njerëz të fuqishëm që po përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatën dhe prokurorët. Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë.
Për më shumë se 18 muaj ai ka folur vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër reformës në drejtësi. Në muajt nëntor dhe dhjetor prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterave të ILDKPKI që është jetik për vettingun.
U hodh shorti për anëtarët e Këshilli të Emërimeve në Drejtësi një prej institucioneve të reja që mbron pavarësinë e gjyqësorit. Shorti u drejtua siç duhet nga sekretari i përgjithshëm i kuvendit, por Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës duke dërguar një listë me 3 prokurorë për të plotësuar 3 pozicione”, ka deklaruar Lu në atë kohë.
Me sa duket ky ka qënë shkaku më i madh i përplasjes së fortë mes ambasadorit amerikan Donald Lu dhe ish Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Çështja e serverit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit mori një përmasë të tillë, sa Llalla kërkonte të drejtën e futjes së “hundëve” në këtë server, gjë që shkaktoi një valë të madhe akuzash me ambasadorin amerikan.
Prokuroria urdhëroi bllokimin e arkivës së ILDKPKI pasi hapi hetime me nismën e vet kundër kreut të këtij institucioni Shkëlqim Ganaj, me argumentin se ka dyshime që ky i fundit ka shkelur ligjin pasi s’ka hetuar në mënyrë administrative rastet e dyshuara të konfiktit të interesit.
Raste që përfshijnë edhe disa deputetë që kanë kryer marrëdhënie biznesi me shtetin, thuhet në pretendimin e Adriatik Llallës në atë kohë.
Madje ndërhyrja e pazakontë e Prokurorisë dhe kërkesa për të bllokuar të gjithë arkivën fizike dhe elektronike të ILDKPKI-së, u pa si një përpjekje për të bllokuar përdorimin e kësaj arkive në procesin e pritshëm të Vettingut.
Arkiva e ILDKPKI mbart mijëra deklarata vjetore të pasurive dhe të të ardhurave që gjykatësit dhe prokurorët kanë plotësuar çdo vit që nga viti 2004. Ajo po ashtu është një nga burimet kryesore të vendimmarrjes së komisionit të Vettingut për të parë pastërtinë e figurës së gjykatësve dhe prokurorëve.
Ndërkohë që pas urdhërave të sekuestrove të prokurorisë, ILDKPKI iu drejtua gjykatave, të cilat e rrëzuan Prokurorinë, me argumentimin se në rast hetimi ndaj Ganajt, prokuroria mund të bllokojë dhe sekuestrojë vetëm deklaratat e zyrtarëve të rasteve të dyshuara për konflikt interesi por jo të gjithë arkivën.
Akuzat e Lu ndaj Llallës për serverin e ILDKPKI-së, ja ç’thotë dokumenti
Dokumenti i Prokurorisë së Tiranës në lidhje me sekuestrimin e provave në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, pas hetimit të nisur në nëntor 2016 nuk kishte si qëllim në vetëvete atë që ka bërë publike Adriatik Llalla. Flasim për dokumentin që u citua në atë kohë edhe nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili kritikoi përpjekjen e Prokurorit të Përgjithshëm për sekuestrimin e serverit të ILDKPKI, duke e lidhur këtë proces me Vettingun.
Shkresa e urdhrit të sekuestros, e lëshuar nga prokuroria, kishte të bënte me diçka krejt tjetër se sa me sekuestrimin e serverit të kompjuterit të ILDKPKI.
Në shkresën që mban datën 7 nëntor 2016, me autor prokurorin e çështjes Gjergji Tako, thuhej se në këtë datë prokuroria ka nisur një hetim pas një artikulli të botuar po atë ditë në një media.
Pasi shpjegohet se gazeta është sekuestruar në cilësinë e provës materiale në pjesën me përmbajtje “Heshtje për zyrtarët e lartë dhe familjarët, asnjë rast konflikti interesi në tre vjet”, prokuroria shpjegon arsyen e nisjes së hetimit.
Sipas saj, në artikull shprehet pretendimi se në tri raste, anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë kanë qenë objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese, pikërisht për dyshime për konflikt interesi. Në një rast, gjykata ka marrë një vendim që ka konfirmuar ekzistencën e konfliktit të interesit, thekson prokuroria.
Sipas saj, mbi këtë bazë është vendosur nisja e hetimit bazuar në sugjerimin e Policisë Gjyqësore se kishte elementë të mjaftueshëm për ta bërë një gjë të tillë.
Pasi shpjegohet në dokument se prokuroria ka nisur hetimet për veprën penale “shpërdorim detyre”, organi i akuzës shprehej se për një hetim sa më efektiv duhet të merren akte në origjinal nga ILDKPKI si më poshtë: rregullorja e brendshme dhe metodologjia e përdorur, vendimet për masat administrative të marra në periudhën 1 janar 2014-8 nëntor 2016, libri i gjobave të vendosura si masë administrative për mosdorëzim në afat të deklaratave të pasurisë, libri me blloqet e mandat arkëtimet e gjobave të vendosura në periudhën e përmendur më lart, si dhe të dhënat e ruajtura në serverin qendror të sistemit kompjuterik nëpërmjet shkarkimit të të dhënave.
Dokumenti ishte i firmosur nga prokurori Gjergji Tako dhe kryerja e sekuestrimit u është ngarkuar katër oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe specialistit të IT.
Një sekuestro e tillë u shfuqizua nga Gjykata e Tiranës në dhjetor 2016, pas padisë së kreut të ILDKPKI. Gjykata më pas rrëzoi të drejtën e prokurorisë jo vetëm për sekuestro, por edhe për këqyrjen e provave në fjalë.
Ndërkohë që procesi i verfikimit të pasurisë së Adriastik Llallës tashmë që është vënë nën sekuestro pasuria e tij, tregoi se shqetësimi i tij në atë kohë kishte qënë i “drejtë” pasi tashmë ai rrezikon burgun pikërisht nga mosjustifikimi i pasurisë së tij./Pamfleti/