Procesi i reformës në drejtësi është komentuar nga Kreu i LZHK, njëherësh aleat opozitar, Dashamir Shehi, në emisionin “5pyetje nga Babaramo”.
Ndërsa është shprehur se suksesi i kësaj reforme është vetëm largimi i disa gjyqtarëve me të drejtë dhe me të padrejtë, Shehi ka “sulmuar” edhe ambasadorët, duke shprehur habinë se ku e shohin ata suksesin.
“Nëse ndërkombëtarët e shohin si sukses, ne duhet të shohim një minimum suksesi. Mund të mos jemi në nivel ambasadorësh si dije po disa gjëra i kuptojmë.
Suksesi i vetem është që po largojnë disa gjyqtarë me të drejtë dhe të padrejtë. Nuk e di ku e shohin suksesin dhe përparimin këta ambasadorë që vijnë tek ne”, tha Shehi.
Ndër të tjera deputeti opozitar është shprehur se ambasadorët e kanë të vështirë ta interpretojnë Shqipërinë nën influencën e gënjeshtrës, pasi interlokutori i tyre është Qeveria.