Bulqiza tregoi se Ilir Meta dhe LSI janë simbol korrupsioni, populli i ka identifikuar si e keqja e madhe e Shqipërisë dhe kërkon që kjo parti dhe lidershipi i saj t’i dorëzohen një orë e më parë drejtësisë, si njerëz me aktivitet korruptiv të lartë që duhet të vihen në bankën e të akuzuarve.
Njerëzit që tentuan të prisnin masivin pyjor më të madh në Bulqizë janë të LSI-së, madje është një varg i gjatë zyrtarësh që shkojnë nga Ministria e Mjedisit e deri në pushtetin lokal me kryebashkiakun Melaim Damzi. Ky grup njerëzish ka përdorur vulën e institucioneve shtetërore për të lëshuar në kundërshtim me parimet ligjore (ka një moratorium që ndalon prerjen e pyjeve) dhe mjedisore (shkatërrimi i pyjeve sjell fatkeqësi natyrore zinxhir në mënyrë të parikuperueshme) leje për grabitjen e pyjeve në këtë zonë.
Përfituesit janë njerëzit e Monika Kryemadhit në qarkun e Dibrës, por njëherësh edhe LSI si parti, pasi kjo organizatë politike mbahet dhe funksionon mbi parime mafioze, me vjedhje dhe shkelje ligji të vazhdueshme, me shkatërrim të pasurive publike për interesat e ngushta të klanit dhe natyrisht mbajtjen peng të zhvillimit të vendit nëpërmjet kapjes së segmenteve të caktuara të shtetit si në drejtësi, politikë, arsim etj.
Protesta e vazhdueshme dhe rezistenca e pashoqe e banorëve të Bulqizës, konkretisht komunitetit në njësinë vendore Fushë-Bulqizë, bënë që LSI-stët të sprapseshin me turp. Nuk u pinë ujë as shantazhet, as blerjet e individëve të vecantë, as paratë e korrupsionit, as firmat dhe vulat e institucioneve, asgjë prej gjëje.
Bulqiza u tregoi LSI-stëve se janë një bandë e organizuar mafiozo-politiko-ekonomike dhe si e tillë nuk kishin vend në shoqëri. Komuniteti i bashkuar i thyen dhëmbët jo vetëm LSI dhe bandave të horrave të Monika Kryemadhit në Dibër e Bulqizë, por arrin të kthjellojë nga dehja e delirit edhe kryeministrin Edi Rama, që nxitoi të cojë në Bulqizë ministrin e Mjedisit Blendi Klosi, i cili nën rrezet e diellit e jo në hije, i detyruar nga banorët, premtoi të anulonte koncesionin që vjen erë të rëndë korrupsioni.
Protesta paqësore, por e vendosur e banorëve, që përshkallëzonin qëndrimin e tyre sipas situatës, ka dhënë “leksione” të forta për Ilir Metën, Monika Kryemadhin dhe të gjithë shpurën e hajdutëve të tyre në zonë.
Është e qartë tashmë se LSI në Bulqizë ka vdekur dhe bashkia që u mor me 50 apo 100-mijë lekë për votë nga mashtrimi i hallexhinjve do të ndryshojë shpejt ngjyrë në zgjidhjet e ardhshme dhe LSI-stët do të mbeten me “barkun bosh”. Bulqiza u kujtoi LSI-stëve dhe drejtuesve të saj se po të preken pasuritë publike dhe interesi qytetar të gjen belaja dhe të pret fundi.
Protestat e Bulqizës dhanë edhe një paralajmërim të fortë për Ilir Metën në zgjedhjet e ardhshme. Është mëse e qartë tashmë se populli nuk e do LSI-në, sepse ajo është identifikuar si parti klienteliste, e përbërë nga hajdutë që vjedh e shkatërron për interes të familjes, konkretisht, dyshes së korrupsionit Meta-Kryemadhi.
Protestat në Bulqizë, përvecse sollën një zgjim shembullor të dinjitetit qytetar, që prona publike është e shenjtë dhe nuk mund ta prekë askush, po paralajmërojnë fundin e tmerrshëm politik të Ilir Metës dhe shpurës së hajdutëve të LSI-së.
Zgjidhjet e mëdha i jep, me sa duket, zemërimi popullor dhe Ilir Meta e Monika Kryemadhi e kanë mbushur kupën, prandaj fundi i tyre politik është i pashmangshëm. Më të fortë se populli s’ka asnjë, kjo është e sigurt dhe Ilir Meta duhet ta ketë kuptuar qartë këtë me rezistencën qytetare model që dhuruan banorët e Bulqizës. /Pamfleti